Ekspertiza balistike ka zbardhur detaje të reja nga vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan një vit më parë.
Sipas Prokurorisë, në incidentin e rëndë që shoqëroi fushatën zgjedhore, ka rezultuar se Arbër Paplekaj, përveç viktimës, ka qëlluar me armën e tij edhe efektiven e Policisë Xhensila Sota, e cila kishte mbërritur në vendin e ngjarjes për të ndërhyrë në konfliktin mes shtabeve elektorale të PS-së dhe PD-së.
Prokuroria ka zbardhur detaje të reja gjatë hetimit të dosjes së ekzekutimit të Pjerin Xhuvanit dhe plagosjes së 4 personave të tjerë, në ngjarjen e 21 prillit 2021, që tashmë njihet si masakra e Elbasanit.
Për këtë ngjarje është arrestuar ish-punonjësi i RENEA-s, Arbër Paplekaj. Ndërsa Klemend Xhaferaj, i identifikuar nga Policia si pjesëmarrës në ngjarje, ende nuk është arrestuar.
Kujtojmë se kanë mbetur edhe 35 ditë nga përfundimi i afatit hetimor prej 1 viti, ndërsa Prokuroria e Elbasanit është njohur me ekspertizat balistike të 3 gëzhojave.
Nga pamjet filmike të analizuara dhe ekspertizat e kryera, ka rezultuar se Paplekaj është personi që qëllon në këndin e drejtimit, ku dhe punonjësja e policisë është duke qëndruar prapa një furgoni të forcave të rendit.