Ish-vartësja e Arben Ahmetajt, drejtoreshë ekstradimesh në Ministrinë e Drejtësisë, është mikeshë e ngushtë e dy biznesmenëve të plehrave, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Në dosjen hetimore të SPAK, janë zbuluar komunikimet elektronike mes Alba Thomës dhe dyshes Zoto-Mërtiri, ku ajo i informonte për çdo diskutim dhe problematikë në hartimin e procedurave për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Ndërkohë ekstradimi i Zotos e Mertirit në Shqipëri varet pikërisht nga drejtoresha e ekstradimit, mikesha e tyre
SYRI TV
Prokurorët e SPAK e konsiderojnë zonjën Thoma si një mikeshë e ngushtë e dy biznesmenëve të plehrave, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Hetuesit kanë zbuluar dhjetëra komunikime elektronike, në të cilat Alba Thoma vinte në dijeni dyshen Zoto-Mërtiri për çdo diskutim, problematikë apo vështirësi në hartimin e procedurave paraprake për koncesionet e landfillit të Fierit dhe Tiranës.
Gjatë dy viteve të fundit, Alba Thoma ka mbajtur poste të rëndësishme në Ministrinë e Drejtësisë, deri në pozicionin e titullares së Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore të Çështjeve të Drejtësisë.
Kjo strukturë përfshin edhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, ose e thënë më thjeshtë, Drejtoria e Ekstradimeve.
Pjesë e punës së drejtorisë vijon të jetë edhe ekstradimi të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, dy miqtë e drejtoreshës Alba Thoma.
Prej mëse dy vitesh, bosët e inceneratorëve inekzistentë janë në kërkim ndërkombëtar dhe ata ende nuk janë sjellë fizikisht përballë drejtësisë shqiptare.
Ministria e Drejtësisë, më saktësisht drejtoria e drejtuar prej të paktën dy vitesh nga Alba Thoma, ka dështuar me ekstradimin e dy miqve të drejtoreshës, siç e cilëson SPAK-u.
© SYRI.net