Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin, i njohur si Rikardo Muho, dhe Kristaq Lecin, të akuzuar për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku.
Sipas Prokurorisë, Bledar Jambelli, i cili konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte në kërkim nga organet e drejtësisë që prej viteve 2000, është hetuar dhe arrestuar më parë për vrasjen e dy personave gjatë periudhës kur drejtonte Policinë e Vlorës Artan Cuku. Megjithatë, ai u lirua gjatë procesit gjyqësor, pasi u shpall i pafajshëm.
Në shenjë hakmarrje për arrestimin, Jambelli planifikoi dhe organizoi vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Ai bashkëpunoi me Kristaq Lecin dhe takoi Mikel Shallarin, të cilit i premtoi 20,000 euro dhe arratisje në Gjermani pas kryerjes së krimit.
Kristaq Leci pajisi Shallarin me dy pistoleta, një Zastava dhe një Glock me silenciator, ndërsa vetë mbikëqyri viktimën nga larg. Mikel Shallari qëlloi të paktën 8 herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Artan Cukut.
Pas arrestimit, Shallari pranoi akuzën, bashkëpunoi me drejtësinë dhe u dënua me 10 vjet burg, duke kërkuar falje familjes së viktimës.
Prokuroria thekson se vrasja u krye me paramendim dhe motiv hakmarrjeje, ndërsa tre të akuzuarit vepruan në bashkëpunim për realizimin e krimit.
Organizatori i vrasjes ishte Bledar Jambelli, ndërsa Kristaq Leci dhe Mikel Shallari vepruan si bashkëpunëtorë, secili me motive përfitimi material dhe ndihmë në kryerjen e krimit.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria Tiranë kërkon burgim të përjetshëm për shtetasit B.J. dhe K.L. për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, A.C
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon burgim të përjetshëm për shtetasit B.J. alias B.M. dhe K.L. alias G.K. për veprat penale ‘Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga anent 79/b dhe 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet e procedimit penal nr.139/2017, rezultoi se i pandehuri B.J. një person me rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe në ndjekje nga organet hetimore dhe policore prej viteve 2000, në vitin 2012 u hetua nga Shërbimet e Policisë në Drejtorinë Vendore Policisë Vlorë për ngjarje të rënda kriminale konkretisht vrasjes së shtetasve Sh.M. dhe E. Sh. dhe falë punës hetimore në kohën që kjo Drejtori drejtohej nga i ndjeri A.C., u arrestua dhe hetua për këto fakte penale të rënda të citura më sipër, por më pas gjatë procesit gjyqësor doli i pafajshëm dhe u lirua.
Pikërisht për këtë shkak, në vitin 2017 shtetasi B.J. në shenjë hakmarrjeje përgatiti vrasjen e ish-Drejtorit Policisë Vlorë. Për realizuar këtë qëllim, ai lidhi marrëveshje me shtetasin K. L. dhe për të realizuar vrasjen takoi edhe shtetasin M. Sh., të cilit iu premtua pagesë reth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin. Shtetasi K.L. e pajisi shtetasin M.Sh., me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim.
Shtetasi M.Sh e gjuajti të paktën 8 herë viktimën duke lënë në vendngjarje pa shenja jete. Ky shtetas u ndalua menjëherë dhe pas arrestimit nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me drejtësinë. I pandehuri M.Sh. u dënua me dhjetë vjet burgim pasi pranoi akuzën dhe faktin penal, bashkëpunoi me drejtësinë dhe u pendua për krimin e kryer duke i kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës.
Nga hetimet rezultoi provuar tej çdo dyshim arsyeshëm se vrasja u krye me dashje në formën e paramendimit e shtyrë nga motive hakmarrje dhe për motive përfitimi të dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Këta tre persona bashkëpunuan në drejtimin e B.J. për vrarë A. C. si qëllim final, të shtyrë nga motive ndryshme. Organizuesi këtij bashkëpunimi ka pasur qëllim hakmarrje, ndërsa ndihmësi ka pasur qëllimin për ndihmuar shokun e tij dhe njëkohësisht djalin e hallës M. Sh. për të përfituar holla dhe e ndihmoi në kryerjen vepres penale, ndërsa M. Sh. kishte interesin përfitimit material në këtë bashkëpunim dhe për pasojë të tre kryen vrasjen e ish drejtorit të Policisë Vlorë.
Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kërkoi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit B. J. për vepren penale “ Vrajse e punonjëseve të policisë shtetit” parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 K.Penal dhe dënimin e tij burgim përjetëshëm; dhe
Deklarimin fajtor të të pandehurit K.L. për vepren penale “Vrajse e punonjësve të policisë shtetit” parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 K.Penal dhe dënimin e tij burgim përjetëshëm.