Policia e Vlorës ofron 30 mijë euro për këdo që mund të japë informacion të vlefshëm dhe që mund të çojë në identifikimin e autorëve të ekzekutimit me snajper, të 23-vjeçarit Gëzim Sinomati.
Në një njoftim zyrtar, sipas News24, grupi i posaçëm hetimor po vijon veprimet e thelluara dhe kontrollet e pandërprera për zbardhjen dhe dokumentimin e saj
“Lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 07.01.2024, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi G. S., 23 vjeç, grupi i posaçem hetimor vijon veprimet e thelluara dhe kontrollet e pandërprera për zbardhjen dhe dokumentimin e saj.
Në këtë kuadër, DVP Vlorë fton qytetarët që të japin informacion për këtë ngjarje dhe ofron shpërblimin 30 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vë në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694173022, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftim.
I riu qëllua për vdekje teksa po pinte cigare në ballkon dhe një nga pistat e hetimit është se eleminimi i tij ka ndodhur për larje hesapesh. Dyshohet se autorët e ekzekutimit të 23-vjeçarit janë 3 persona. Ngjarja ndodhi në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë, rreth orës 22:00.
Autorët pasi kanë ekzekutuar të riun kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, ku i kanë vendosur flakën dhe janë larguar duke përfituar nga errësira.
Mësohet se Gëzim Sinomati ishte rikthyer në Vlorë në fund të dhjetorit për festat e fundvitit dhe do të largohej sërish në drejtim të Belgjikës. Ai qëndronte i vetëm në banesën në katin e tretë në një pallat në lagjen “Hajro Cakërri” pranë bulevardit të Vlorës.
Gëzim Sinomataj, është djali i Sokol Sinomatit i njohur me pseudonimin Sokol Buzëderri anëtar i bandës së Gaxhait.
I riu dyshohet se është ekzekutuar për llogari të babait të tij, por nuk përjashtohen as prishje të pazareve të drogës.
Xhaxhait të viktimës, Benard Sinomataj, më 4 janar 2022 i vunë tritolin pikërisht në një automjet poshtë ballkonit të shtëpisë ku ndodhi kjo ngjarje. Edhe Benardi aso kohe sapo ishte kthyer nga Belgjika. Benard dhe Sokol Sinomati të dy vëllezër, janë figura të njohura për policinë, ndërkohë viktima nuk figuron person me precedent penal.