Autori i dyshuar për vrasjen e 47-vjeçarit Arjan Gosa një natë më parë në Kavajë, Habib Rexha ndodhet ende në arrati.
Brenda më pak se dy muajsh 78-vjeçari humbi dy djemtë e tij në dy ngjarje kriminale që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Policia deklaroi se vrasja është kryer për motive hakmarrjeje.
Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit që mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 29 mars në Kavajë. 31-vjeçari Habib Rexha vendosi të hakmerret ndaj ekzekutorit të vëllait të tij, Edmond (Armand) Gosa që mbeti gjithashtu i vrarë në mars.
Vrasja e marsit ndodhi për motive të dobëta. Nga hetimet mbi ngjarjen rezulton se Edmond Gosa e fyente vazhdimisht Altin Rexhën në lidhje me origjinën e tij, ndërsa konflikti pati nisur për një “vështrim të shtrembër” mes tyre. Mbrëmjen e 29 marsit teksa Rexha ndodhej bashkë me djalin e vet në afërsi të banesës së tij është konfliktuar sërish me Edmond Gosën i cili e ka qëlluar.
Rexha i është kundërpërgjigjur dhe të dy kanë humbur jetën. Ditën e djeshme Habib Rexha është hakmarrë për vrasjen e të vëllait duke e vrarë atë në prani të të atit, Osmanit.
Më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, sipas dëshmitarëve. Policia vazhdon të jetë në kërkim të autorit. Ndërkohë dy vëllezërit Gosa kanë qenë përfshirë dhe në një tjetër sherr banal që përfundoi me vdekjen e të plagosurit prej tyre, Gentian Gjuzit pak muaj pas ngjarjes që ndodhi në nëntor të vitit 2012 në qytetin e Kavajës.
Top Channel