Ekzekutoi ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën/ Pas disa orësh i ngujuar, vetëvritet autori i krimit në Roskovec

Pas më shumë se 9 orësh, ngjarja në Roskovec ka përfunduar me një tjetër tragjedi. Autori i krimit, Refit Buzi, pas disa orësh i ngujuar ka vrarë vetën, duke mos iu dorëzuar efektivëve.

Rrethimi i Refit Buzit nga Policia në fshatin Kurjan të Roskovecit zgjati rreth 8 orë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Roskovec. Buzi, vrau me armë zjarri ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën. Ndërsa rrëmbeu për disa orë ish-partnerën, të cilën e liroi pas disa orësh.

Në deklaratën e dhënë për mediat, drejtori i Policisë Fier Erion Ahmeti tha se 35-vjeçari ka kërcënuar disa herë se do t’i jepte fund jetës me armën e gjahut, me të cilën vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën.

Ndërkohë burime nga DVP Fier bëjnë me dije për “News24” se ish-partnerja e Refit Buzit ka lënë ambientet e spitalit dhe ndodhet në komisariat, ku po merret në pyetje.

Informacion nga policia- 

Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:

Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.

The post Ekzekutoi ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën/ Pas disa orësh i ngujuar, vetëvritet autori i krimit në Roskovec appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme