Vrasësit e biznesmenit grek Giannis Skaftourou kanë përfituar nga festa e Pashkëve për të vepruar pikërisht ditën e sotme në Dervenochoria.
55-vjeçari dyshohet se kishte kohë që bënte lëvizje shumë të rralla në Atikë për shkak se i trembej një atentati të mundshëm ndërsa ishte gjithmonë i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Megjithatë me rastin e festës së Pashkëve ai kishte shkuar në shtëpinë e prindërve të tij për të festuar me nënën dhe të afërmit.
Sipas informacioneve të para të publikuara nga mediat greke, autorët kanë qenë katër persona që lëviznin me motoçikleta. Ata janë ndalur para shtëpisë, dhe dy prej tyre me kokore në kokë kanë hyrë në oborrin e shtëpisë ku ndodhej biznesmeni grek bashkë me 10 persona të tjerë, dhe kanë qëlluar disa herë me kallashnikov.
Për pasojë biznesmeni ndërroi jetë ndërsa e plagosur ka mbetur edhe vajza e tij 22-vjeçare e cila u dërgua në spital.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur mbi 15 gëzhoja plumbash.
Giannis Skaftouros konsiderohet si një nga “veteranët” e fundit të mafies greke i akuzuar për disa krime të rënda ndër to vrasje, rrëmbime ndërsa emri i tij ishte i përfshirë në disa procese gjyqësore me krerët e grupeve kriminale.
Në verën e vitit 2018, teksa ndodhej në burgun e Korydallos, ai u sulmua me thikë nga anëtarë të mafias shqiptare.
Ai doli nga burgu 3.5 vite më parë, pasi kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit. Sipas mediave greke një prej motomjeteve me të cilin lëviznin autorët ka shfaqur problem gjatë arratisjes dhe kështu që autorët janë detyruar ta braktisin në rrugë duke tentuar të largohen me një makinë të rastit.
Por përpjekjet e tyre kanë dështuar. Dyshimet e policisë tashmë janë dy, ata janë marrë me makinë nga bashkëpunëtorët e tyre ose janë zhdukur në pyll./GSh