Mediumi prestigjioz spanjoll “EL PAIS” në një shkrim të gjatë të publikuar më 1 dhjetor ka shkruar për raportet në mes të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Gazeta spanjolle për një shkrim të tillë ka marrë si shkas reagimin e shpejtë dhe ofertën e tri shteteve për të strehuar një numër të madh afganësh pas vendimit të SHBA’së për tërheqje nga Afganistani.
“EL PAIS” shkruan se shpejtësia me të cilat këto tri shtete i janë përgjigjur kërkesës së SHBA’së për strehimin e përkohshëm të refugjatëve nga Afganistani tregon për orientimin e qartë pro-perëndimor dhe rëndësinë që i jepet miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas “EL PAIS”, edhe përkundër faktit se Amerika është një fuqi në rënie dhe NATO-ja nuk është duke përjetuar orët më të mira të saj.
Një raport i tillë me SHBA-të i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, “EL PAIS” thotë se bëhet edhe më shumë i kuptueshëm kur merret parasysh fakti se rruga drejt integrimit në bashkimin Evropian është “plot re” dhe e “paralizuar”.
“EL PAIS” tutje ka shkruar edhe për ndryshimin e pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjeve të mbajtura në vitin e kaluar. Sipas kësaj gazete, ardhja e Joe Biden në pushtet ka ushqyer shpresat e këtyre tri shteteve se Ëashingtoni do të rikthehet më i fuqishëm në rajon pas presidencës së Donald Trump që gazeta spanjolle thotë se pas vetës la vetëm një marrëveshje “me vlerë të vogël” në mes të Kosovës dhe Serbisë.
E përditshmja spanjolle tutje shkruan se Kosova ka edhe një arsye shtesë për të shikuar përtej Atlantikut, meqë gjerat në Bashkim Evropian nuk po shkojnë siç duhet. Gazeta këtu ka përmendur faktin që emisari për dialogun, Miroslav Lajcak dhe shefi i diplomacisë së BE’së, Josep Borell, vijnë nga dy vende që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.