Tre shtetas janë arrestuar në flagrancë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pas operacionit të koduar “Administratori” të ndërmarrë nga forcat e policisë së Elbasanit, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ku janë sekuestruar 30 kg hashash.
Në pranga përfunduan Flori Kuqja, 35 vjeç, dhe Enver Dobra, 27 vjeç, nga fshati Shalës i Cërrikut, si dhe Fatos Serani, 37 vjeç nga Berati. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur 27-vjeçari T.K. dhe 29-vjeçari Xh.K., që të dy banues në fshatin Shalës të Cërrikut.
Arrestimi i shtetasve të mësipërm ka ardhur pas një kontrolli të ushtruar në banesën e shtetasit Flori Kuqja, ku u gjet sasia e lëndës narkotike, ndërsa nga veprimet hetimore rezultoi se ajo i përket këtyre shtetasve. Tashmë ata akuzohen për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, ndërsa materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.