Një tjetër rast prostitucioni u godit nga Policia e Elbasanit, ku dy gra nga Kazakistani janë arrestuar në flagrancë në një apartament të marrë me qira në lagjen “5 Maji”.
Të ndaluarat, A. A., 34 vjeç dhe A. A., 27 vjeç, akuzohen se ushtronin prostitucion, ndërsa ndaj shtetases shqiptare R. Ç., 42 vjeçe – pronare e banesës – ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Operacioni i koduar “Booking” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Prokurorinë. Gjatë kontrollit në apartament u sekuestruan para në valuta të ndryshme, 3 celularë dhe dokumentet personale të të arrestuarave.
Sipas Policisë, ky është rasti i tretë brenda pak ditësh që zbulohet një apartament i përdorur për ushtrim prostitucioni nga shtetase të huaja në qytetin e Elbasanit. Hetimet vijojnë për identifikimin e rrjetit të mundshëm që qëndron pas organizimit të aktivitetit të paligjshëm.



