Lëvizja BESA jo vetëm që ka shtrirë me sukses strukturat e saj në të gjitha pjesët shqiptare të territorit të Maqedonisë, por ajo tash e një kohë ka shtrirë veprimtarinë e saj edhe në qendra të rëndësishme evropiane dhe në SHBA.
Tash së fundmi, përfaqësues të Lëvizjes BESA kanë realizuar takim me kongresmenin Eliot Engel që njihet si mik i madh i shqiptarëve.
Takimi u realizua në zyrë e z. Engel, i cili është anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Anëtari i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA, dr. Rufat Alili, i shoqëruar nga zoti Jonild Pasha, këshilltar i politikës së Jashtme, dhe zonjusha Theranda Jashari, asistente (studente e Columbia University), realizoi një takim me kongresmenin dhe mbështetësin e madh të çështjes shqiptare, z. Eliot Engel.
Rufat Alili, në këtë takim e informoi z. Engel lidhur me zhvillimet e përgjithshme politike në Maqedoni, veçanërisht me kontekstin e ri politik që po krijohet pas konsumimit të madh të dy partive qeveritare VMRO-DPMNE dhe BDI.
“Lëvizja BESA – si parti e re shqiptare në Maqedoni është duke luajtur nje rol të rëndësishëm në përkrahjen e Prokurorisë Speciale. Të gjitha hulumtimet e opinionit publik e konfirmojnë pranushmërinë dhe përkrahjen që ajo gëzon midis shqiptarëve. Lëvizja BESA rezulton të dalë një forcë serioze politike shqiptare në Maqedoni dhe, në të ardhmen, një partner dhe mbështetës serioz i politikave amerikane në rajon”, ka thënë në takim me z. Engel, përfaqësuesi i lartë i Lëvizjes BESA, Rufat Alili.
Në vazhdim duke folur per Lëvizjen BESA, ai e njohu z. Engel, gjithashtu edhe për koalicionin zgjedhor i cili quhet “Rilindje me BESË”, që përbëhet nga njerëz profesionistë dhe të suksesshëm, si dhe për ofertën zgjedhore, që është RIDEFINIMI i sistemit juridiko-kushtetuese të shtetit. /Sakte.net