23 Gusht 2016 / Sakte.net 09.36
Privilegjimi i komunitetit serb në Kosovës tejkalon edhe kornizat e Kushtetutës së Kosovës. Kështu derisa Komuna e Prizrenit nuk mund të mbajë një vit në emblemën e saj, e cila identifikon vetëm komunitetin shqiptar, Komuna e Graçanicës, në kundërshtim me Kushtetutën ka në përdorim një emblemë zyrtare njënacionale ku ka edhe elemente fetare vetëm të komunitetit serb.
Me Aktgjykimin të datës 18.mars 2010 të Gjykatës Kushtetuese për rastin e KO 01/09, që erdhi pas ankesës së një përfaqësuesi të komunitetit turk kë Kuvendin e Komunës së Prizrenit, gjykata në pikën 46 konstaton se emblema “nuk është vetëm një simbol lokal i vetëm një komuniteti, ajo që duhet reflektuar traditën dhe trashëgiminë historike të atij populli, por simbol zyrtar duhet të reflektojë natyrën shumetnike të Komunës”.
Në këtë frymë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me Aktgjykim merr vendim ‘se kërkesa e parashtruesit është e pranueshme, dhe konstaton se është bërë shkelje e të drejtave të komuniteteve joshumicë në Prizren për të ruajtur, mirëmbajtur dhe promovuar identitetin e tyre, andaj Vendos se neni 7 i Statutit të Komunë së Prizrenit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti me nenet 3,7.1, 58 dhe 59”.
Gjykata urdhëroi Komunën e Prizrenit që Brenda një periudhe tre mujore nga dorëzimi i këtij aktgjykimi të ndryshojë Statutin dhe Emblemën e saj, çka edhe ndodhi brenda afatit të caktuar.
Në bazë të këtij konstatimi rezulton qartë se simboli/emblema e Komunës së Graçanicës është në kundërshtim me këto parime dhe Kushtetutën e vendit. Andaj duke u bazuar në parimin se ‘Praktika gjyqësore në mënyrë indirekte është një prej burimeve të drejtës”, Kushtetuesja me këtë rast do të duhet t’i bënte me dije të gjitha Komunat që të harmonizojnë Statutet dhe emblemat e tyre me Kushtetutën.
Në nenin 6 të Statutit të Graçanicës thuhet se simboli i saj “përfshinë karakteristikat vijuese: Baza është me ngjyrë të kaltër të çelët, ku mesi i konturës së Manastirit të Graçanicës është me ngjyrë të bardhë, në pjesën e mëposhtme janë petalet e kuqe të bozhurit, mbi dhe nën bazën e kaltër gjenden dy pëlhura me mbishkimie “URBS SPLENDISSIMA” (Qyteti Madhëshor) dhe viti 1303 (që tregon përmendjen e parë e Gracanicës)”. Kjo shpreh qartë përmbajtën njënacionale dhe një konfesionale.
Meqenëse Kushtetuesja në pikën 46 të Aktgjykimit të ratit KO 01/09 konstaton ”se përfshirja e vitit 1878 mëtonte të favorizojë komunitetin shqiptar duke përjashtuar komunitetet tjera joshumicë”, edhe përfshirja e Manastirit të Graçanicës në simbolin e komunës, përjashton komunitetet tjera në këtë komunë, rrjedhimisht përjashton ato, andaj edhe ky simbol do të duhej të ndryshohej.
Për më tepër, kjo emblemë është në kundërshtim me Neni 6 dhe 8 të Kushtetutës së Kosovës ku shprehimisht thuhet. “Neni 6 -[Simbolet] Pika 1.Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj” dhe “Neni 8 – [Shteti Laik] Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”.
Bazuar në këtë, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Komunën e Graçanicës, në mungesë të veprimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, do të duhej të parashtronin kërkesë në Kushtetuese që edhe Statuti dhe emblema e kësaj komune të harmonizohet Kushtetutën e Kosovës./KosovaOnline.info/