Detaje të reja janë mësuar në lidhje me operacionin e forcave speciale të zhvilluar sot në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, ku kontrollet janë kryer me urdhër të SPAK.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se SPAK ka zbardhur ekzekutimin e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Ndërkohë për këtë vrasje akuzon dhe ka lëshuar urdhër arreste për Ines Hajrullain dhe Ervis Hajrullahin.
Lala bën me dije se në total SPAK ka lëshuar shtatë urdhërarreste, mes të cilëve dhe për Ervis Matodashaj.
Sipas saj, SPAK ka firmosur edhe një mase e re sigurie për trafik droge ndaj Flodian Plakut, i arrestuar më herët për vrasjen e Gentian Bejtjas në Larushkë.
Nga personat e përfshirë në këtë operacion, dy prej tyre rezultojnë të arrestuar më herët në Itali, ndërsa një tjetër është ndaluar në Janinë të Greqisë, raporton gazetarja Klodiana Lala.
VRASJA E GENTIAN QARRIT
Kujtojmë se ekzekutimi i Gentian Qarrit ndodhi mbrëmjen e 6 shkurtit 2021. Autorët kanë pritur për rreth 10 minuta në rrugë, derisa ai të dalë nga ambientet e një gomisterie aty pranë, dhe të shkojë në lokal.
Pamjet filmike të sekuestruara nga prokuroria e Vlorës, tregojnë se “Toyota Yaris”, ku qëndronin autorët ka lëvizur pak para se të qëllonin me armë.
Pranë ka kaluar një makinë policie, ndaj ata janë detyruar të largohen për tu rikthyer brenda pak çastesh, duke pritur që të dilte objektivi i tyre, Gentian Qarri ose siç thirrej ndryshe në Vlorë me nofkën “Gëçe”. Ndaj tij është qëlluar me 20 plumba 6 prej të cilëve në trup.
Nga pamjet filmike të administruara nga policia duket se ndaj tij është qëlluar me automatik nga brenda automjetit tip Toyota Yaris që ishte në lëvizje.
Qarri, kishte 3 vite që ishte kthyer në Vlorë pasi ishte i dënuar në itali me 11 vite burgim për akuzën e trafikut të drogës.



