Janë zbardhur emrat e tre shqiptarëve të arrestuar dhe të të shumëkërkuarit që konsiderohet si organizatori kryesor i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës në Greqi, i cili maskonte lëndën narkotike brenda lëkurave të kafshëve të importuara nga Amerika Latine.
Të arrestuarit shqiptarë:
– Robert Muci, 41 vjeç, nga Shushica e Vlorës
– Skender Kallashi, 50 vjeç, nga Novosela e Vlorës
– Ledvis Hoxha, 27 vjeç, nga Kutallia e Dimalit
Në kërkim Luis Murataj, 45 vjeç, i njohur si “Karteri”, i cili sipas autoriteteve greke është “koka” e grupit dhe aktualisht ndodhet në Spanjë. Ai dyshohet se ka qenë organizatori i importit të lëkurave të zhytura me kokainë dhe krijuesi i rrjetit të shpërndarjes në Evropë.
Operacioni dhe skema kriminale:
Operacioni u zhvillua nga forcat speciale greke dhe përfshiu kontrolle në një depo dhe një banesë në Pikermi, ku ishte ngritur një laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës. Në total, u arrestuan 11 persona: 6 grekë, 3 shqiptarë, 1 kolumbian dhe 1 bolivian.
Lëkurat e kafshëve ishin importuar legalisht nga Bolivia në muajin prill përmes një kompanie fiktive, krijuar nga vetë rrjeti. Lëkurat ishin zhytur më parë në substanca kimike që përmbanin kokainë dhe më pas përpunoheshin në depo për të nxjerrë drogën përfundimtare.
Çfarë u gjet:
– Rreth 100 kilogramë kokainë të përzier me kripëra u sekuestruan nga 200 lëkura të përpunuara
– 1.500 lëkura të tjera të papërpunuara priteshin të jepnin rreth 700 kg kokainë të pastër
– 300 kg kimikate që shërbenin për nxjerrjen e kokainës
– Laboratori ishte maskuar në një depo të marrë me qira, pjesë e një zinxhiri logjistik që kishte mbulesë ligjore
Policia greke:
“Lëkurat u importuan përmes një kompanie të krijuar nga vetë grupi kriminal, më pas u transportuan me automjete tregtare drejt vendit ku ishte ngritur laboratori kimik,” tha zëdhënësja e policisë greke Constantia Dimoglidou.
Hetimet janë ende në vijim, ndërsa autoritetet po punojnë në bashkëpunim me Interpolin për të lokalizuar dhe arrestuar Luis Muratajn, i cili mendohet të jetë i lidhur me rrjete më të gjera të trafikut të drogës që operojnë në Evropë dhe Amerikën Latine.