Policia e Shtetit njofton se arrestoi sot një 33 vjeçare, banuese në Kombinat, e cila ushtronte prostitucion me klientë të ndryshëm kundrejt shpërblimeve monetare. Po ashtu në pranga ra dhe klienti, shtetasi me inicialet Xh. T., 33 vjeç, banues në Kukës, që gjithashtu akuzohet për veprën penale “Prostitucioni”.
Sipas bluve të kryeqytetit, 24 vjeçari banues në Vishnje, i cili akuzohet për “Shfrytëzimi i prostitucionit” quhet Albi Zela, i cili bënte ndërmjetësimin me 33-vjeçaren që shiste trupin për para te klientët që i siguronte Zela.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Compensation”. Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, një rast i shfrytëzimit për prostitucion. Vihen në pranga 3 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Compensation”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. Z., 24 vjeç, banues në Vishnje, Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”; E. H., 33 vjeçe, banuese në Kombinat, për veprën penale “Prostitucioni”; Xh. T., 33 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Prostitucioni”.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasja E. H., ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit me klientë të ndryshëm kundrejt shpërblimeve monetare, ndërsa shtetasi A. Z., bënte ndërmjetësimin me klientët.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



