Pas më shumë se 1 viti hetime, Prokuroria e Lezhës ka arritur të vërtetojë se 21- vjeçari Aldi Rama, i cili ekzekutoi oficerin e krimeve në Policinë e Lezhës Saimir Hoxha dhe më pas u vetëvra, është keqtrajtuar nga forcat e rendit.
Aldi Rama u dhunua në komisariat
I riu përfundoi në pranga në vitin 2019, pasi ishte kapur me lëndë narkotike dhe një armë të ftohtë, ndërsa ndaj tij rezulton edhe një denoncim për dhunë ndaj një vajze.
Në lidhje me këtë çështje, organi i akuzës ka mbyllur hetimet, duke marrë të pandehur një efektiv policie me iniciale M. M. Ndaj policit është ngritura akuza “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe dosja penale e hetuar nga prokurori i Lezhës, Françesk Ganaj, brenda pak ditësh do të dërgohet në gjykatë.
Organi i akuzës u vu në lëvizje dhe regjistroi procedim penal, pas kallëzimit të bërë nga 21- vjeçari Aldi Rama, me pretendimin se ishte dhunuar e keqtrajtuar nga uniformat blu, kur u arrestua me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë. Në lidhje me rastin u kryen një sërë veprimesh hetimore, por vetëm për njërin nga 3 efektivët e Policisë të kallëzuar nga i riu është arritur të provohet se ka konsumuar elemente të veprës penale, për të cilën është ngritur dhe akuza.
Kush është efektivi abuzues?
Tani wshtw zbuluar identiteti i policit që dhunoi në komisariat Aldi Ramën, cili ka ikur nga policia dhe punon specialist tek burgjet. Në vitin 2020, ai u përfshi në një konflikt verbal me dy avokatë.
Myrteza Mehmetaj është punonjësi i policisë, i marrë i pandehur nga prokurori e Lezhës Françesk Ganaj, për dhune ndaj të arrestuarit Aldi Rama, i cili pas daljes nga burgu vrau me armë zjarri oficerin e policisë, Saimir Hoxha. Ndaj Mehmetaj organi i akuzës ka ngritur akuzën e “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, ndërsa prej vitit 2021 ai është larguar nga shërbimi në komisariatin e Lezhës dhe tashmë punon si specialist në policinë e Burgjeve, pranë burgut të Fushë-Krujës.
Ky oficer policie rezulton të jetë përfshirë dhe në konfliktin verbal me avokatet Gjergj Neli dhe Shaqe Marinaj, me datë 27 tetor të vitit 2020. Ndaj policit është ngritur akuza “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe dosja penale e hetuar nga prokurori Francesk Ganaj, brenda pak ditësh do të dërgohet në gjykatë. Organi i akuzës u vu në lëvizje dhe regjistroi procedim penalë, pas kallëzimit të bërë nga 21-vjeçari Aldi Rama me pretendimin se ishte dhunuar e keqtrajtuar nga uniformat blu, kur u arrestua me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë.
Vrasja e Saimir Hoxhës
Më 28 shtator të vitit 2021, Aldi Rama u bë protagonist i një krimi të rëndë, duke ekzekutuar me armë zjarri oficerin e Policisë së Lezhës Saimir Hoxha, teksa ky i fundit bashkë me dy kolegë të tij po ktheheshin nga një aksion antikanabis në Ishull-Lezhë. Oficerët e Policisë ndaluan për kontroll makinën, në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo oficeri Saimir Hoxha i ka kërkuar mjetin e identifikimit Ramës, ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas ngjarjes, i riu arriti të largohet dhe gjatë operacionit policor për kapjen e tij, qëlloi veten me pistolete, duke mbetur i plagosur rëndë dhe një ditë më pas ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mllefi qe kishte krijuar ndaj uniformave blu duket se i nxiti të riun të ndërmarrë këtë akt të rëndë me viktimë një oficer policie. Më shumë se dy muaj pas krimit të rëndë, doli në dritë fakti se nënkomisari Saimir Hoxha të jetë një ndër personat që ka përgatitur dhe firmosur procesverbalin e arrestit për Aldi Ramën, në njërin nga dy rastet që ai është prangosur.
Procesverbali i urdhër-arrestit për Aldi Ramen, që mban edhe firmën e oficerit Saimir Hoxha, i është bashkuar procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria e Lezhës, pas kallëzimit të bërë nga 21- vjeçari për dhunë dhe keqtrajtim nga uniformat blu. Gjithashtu, muaj më parë është bërë edhe ballafaqimi i të riut të ndjerë me tre efektivët e Policisë, të cilët pretendonte se e kishin dhunuar. e.h






