Policia e Lezhës njofton se ka vënë në pranga Drejtorin e Ujësjellësit të Kurbinit, Alfred Prodanin. Mësohet se shkak për arrestimin e Prodanit është bërë një kërkesë e INTERPOL-it, pasi ai akuzohet se ka kryer vjedhje në Spanjë.
Edhe pse para disa kohësh, Prodani është akuzuar nga ish-Kryeministri Berisha në 2019-n për vjedhje, por ai i ka mohuar këto akuza. Burime bëjnë me dije se arrestimi është provizor me qëllim ekstradimi.
Njoftimi i Policisë së Lezhës:
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Coruna”, forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Interpol Tirana, kapën dhe arrestuan në qytetin e Laçit, me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, shtetasin A. P., 41 vjeç, banues në Kurbin. Ky shtetas, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Coruna/Spanjë, në vitin 2013, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës./GSH



