Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar ditën e sotme një punonjës të uniformave blu, pasi akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Bëhet fjalë për oficerin Briken Tereziu, i datëlindjes 8 mars 1985, me detyrë Ndihmës Specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit në Aeroportin e Rinasit.
Ai ishte i shpallur në kërkim që më 3 qershor, pas një operacioni policor për oficerët të dyshuar si të korruptuar e që kanë shpërdoruar detyrën.
Ndihmës specialisti ndihmoi shtetas të paligjshëm për kalimin e kufirit duke marrë ryshfet 500 euro.
Njoftimi
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar një punonjës policie të shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg”.
Në vijim të komunikatës së datës 04.06.2024, mbi ekzekutimin e masave të sigurimit personal ndaj 8 punonjësve të policisë, efektivë në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas dhe pas shpalljes në kërkim të punonjësit të policisë, Inspektor B. T., 39 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur sot arrestimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur si rezultat i hetimeve disa mujore të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, nëpërmjet të cilave u siguruan prova dhe fakte për implikimin e tyre në veprimtari kriminale.