Një 28 vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga uniformat blu të Shkodrës, pasi u kap në flagrancë duke transportuar katër shtetas afganë në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës, drejt kufirit për në Mal të Zi.
Në pranga ka rënë shtetasi Sejid Grizhja, 28 vjeç, banues në Shkodër.
I riu u arrestua në rrugën e fshatit Vukpalaj, teksa në automjetin e tij kishte 4 emigrantët si pasagjerë, të cilët do i ndihmonte të kalonin kufirin për në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.
Policia ka sekuestruar automjetin nën cilësinë e provës materiale.
Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
NJOFTIM
DVP Shkodër
Finalizohet nga Policia Kufitare operacioni policor i koduar “Near 2”.
Transportonte 4 shtetas nga Afganistani, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit për në Mal të Zi, kapet në flagrancë në fshatin Vukpalaj dhe vihet në pranga 28-vjeçari.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bajzë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë së Policisë Kufitare Shkodër, operacionin policor të koduar “Near 2”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi: S.G., 28 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në rrugën e fshatit Vukpalaj, duke transportuar me automjetin e tij, kundrejt pagesës, 4 shtetas nga Afganistani me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit për në Mal të Zi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.