EMRI/ Zbardhet atentati ndaj Selami Brahimit në Shkodër, policia: Autori u arrestua në Gjermani, pritet ekstradimi i tij

Autoritetet kanë zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Shkodrës, ku u plagos me armë zjarri, 60-vjeçari Selami Brahimi.


Dy ditë më vonë është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i autorit, Sulejman Kapllanaj në Berlin të Gjermanisë, ndërsa pritet ekstradimi i tij.

Kujtojmë që pas ngjarjes, Brahimi është shprehur se po lëvizte në këmbë pasi sapo ishte larguar nga një pallat ku la mbesën e tij. Ai ka treguar se nuk ka arritur që të dallojë automjetin, nga ku është qëlluar në drejtim të tij dhe se s’ka probleme me askënd.

60-vjeçari ka deklaruar se s’ka pasur asnjë kërcënim dhe nuk e ka idenë se kush mund të ketë qëlluar në drejtim të tij, apo arsyen.

“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askend dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, ka dëshmuar Selami Brahimi.

Ndërkohë mësohet se ndaj Selami Brahimit është qëlluar rreth 10 herë me kallashnikov, por vetëm një plumb e ka kapur në pjesën e fytyrës.

60 vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Njoftimi: 

Shkodër/Zbardhet ngjarja e ndodhur 2 ditë më parë, në Shkodër, ku u plagos me armë zjarri shtetasi S. B.

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së shtetasit S. B., të kryer më datë 08.02.2024, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat dhe në informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin Sulejaman Kapllani.

Si rezultat i një hetimi intensiv dhe profesional të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, dhe falë inteligjencës policore, u sigurua informacion se autori i dyshuar kishte udhëtuar drejt Berlinit.

Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.

Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.

Ndaj shtetasit S. K., Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sqarojmë se strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.

Bashkëpunimi i shërbimeve tona policore me Interpolin është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

Policia e Shkodrës po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë përpara drejtësisë dhe autorë të tjerë të mundshëm të implikuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme