Gazetare: Melihate Rustemi
Disa nga mësimdhënësit e arsimit fillor i japin dritë jeshile propozimit të Ministrisë së Arsimit për ndryshime në realizimin e vitit shkollor, kur bëhet fjalë për pushimet, fillimin dhe përfundimin e vitit. Pavarësisht që dikasteri në fjalë akoma nuk ka një vendim konkret, mësuesja Qefsere Iseni tha se temperaturat e larta edhe gjatë muajit shtator vështirësojnë zbatimin e duhur të procesit mësimor.
“Këto dy tre vitet e fundit, kur e fillojmë shtatorin është një kohë shumë e nxehtë, dyert e klasave I mbajmë të hapura për shkak se është një klimë e nxehtë në klasë. Unë mendoj, nëse shtyhet deri më 15 ose një datë që e cakton ministria, nëse klima dhe koha fillon pak të freskohet do të jetë pak më relaksuese për nxënësit. Sipas ndryshimeve klimatike nëse vazhdon kështu edhe vitet e ardhshme, atëherë do të jetë I mirëseardhur ky ndryshim”, deklaroi Qefsere Iseni, mësimdhënëse.
Mësuesi Fadil Ebipi tha se kulmi i lodhjes së nxënësve vërehet në muajin prill kur edhe angazhimet e tyre janë më të mëdha.
“Lodhësinë e shfaqin nga muaji prill kur temperaturat ngritën dhe ata janë më tepër të ngarkuar me detyra kontrolluese ose ne siç i quajmë testime dhe ja vlen për një pushim të shkurtër. Me siguri do të ishte mirë dhe do të merrnin një energji që të vazhdojnë tutje me forca të reja”, tha Fadil Ebipi, mësimdhënës.
Viti i ri shkollor 2023-24 mund të filloj më 11 shtator ndërsa të përmbyllet nga fundi i muajit qershor. Mirëpo, mund të mbetet edhe data e zakonshme 1 Shtator por gjatë vitit mësimor të shoqërohet me një pushim të shkurtër pranveror. Këto janë propozimet e dikasterit të Arsimit të cilat pritet të shqyrtohen në një seancë qeveritare për t’u marr një vendim konkret. Sipas ministrit Jeton Shaqiri, këto ndryshime bëhen me qëllim që të rritet produktiviteti te nxënësit dhe mësimdhënësit. Pavarësisht vendimit që do të merret, nga ministria e Arsimit thanë se është e patjetërsueshme realizimi i procesit mësimor në 180 ditë pune, siç parashikon kalendari mësimor për shkollat fillore dhe të mesme. Në këtë rast përjashtohen maturantët të cilët sipas kalendarit mësimor duhet të realizojnë 166 ditë proces mësimor. /Alsat.mk