Kushtrim Shaipi, nga Koalicioni për Dialog Social, tha se në Kosovë çdo vit vdesin rreth 20 punëtorë në vendin e punës.
“Ende nuk kam dëgjuar që është dënuar dikush për shkak të vdekjes së punëtorit në vendin e punës”, u shpreh Shaipi në “Puls të KTV-së.
Sipas tij, informaliteti në Kosovë është shumë i lartë dhe punëtorët nuk kanë mbrojtje ligjore sepse nuk kanë as kontrata të punës.
“Ka mungesë të sindikatave në sektorin privat, ose edhe kur ka është shumë modeste. Diku 60% e fuqisë punëtore është pa mbulueshmëri nga sindikatat në sektorin privat”, deklaroi Shaipi.
Alush Sejdiu, nënkryetar i BSPK-së, tha se informaliteti është diku rreth 35% në Kosovë dhe, sipas tij, kjo është edhe arsyeja që njerëzit punojnë pa kontratë dhe paguhen me para në duar.
“Punëtori pastaj është nën stres dhe nuk e ka vendin e punës të sigurt. Po ashtu edhe pagat i kanë të ulëta, prej 130 deri 170 euro… Mesatarisht një familje në Kosovë përbëhet nga 5 anëtarë. Çfarë motivi mund të kenë këta punëtorë të vazhdojnë punën me këto paga”, shtoi ai.
Sejdiu thotë se i vetmi institucion që i ka të dhënat e sakta se sa punëtorë janë të regjistruar në Kosovë është Administrata Tatimore e Kosovës dhe që, sipas tij, janë rreth 272 mijë tatimpagues, ose punëtorë, të regjistruar në Kosovë.
© KOHA.