Engel: Rusia po armatos Serbinë, ne duhet ta ndihmojmë Kosovën

Eliot L. Engel, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit, ka folur rreth politikës amerikane karshi Kosovës gjatë një takimi të këtij Komiteti. Ai ka konfirmuar se SHBA-të aktualisht janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, duke kërkuar që ky qëndrim të ndryshojë shpejt.

Engel ka potencuar se Kosova, si vend i ri, duhet ta bëjë ushtrinë, duke shtuar se në anën tjetër Rusia po e armatosë Serbinë.

“Kjo mund t’ju duket e papritur zoti Kryetar, por nëntë vjet me radhë, si një vend i lirë dhe i pavarur, Kosova ende nuk ka ushtri. Kjo është një e drejtë sovrane, mirëpo ky është komb-shtet pa ushtri. Kosova ka një Forcë të Sigurisë të armatosur lehtë, derisa ushtria ruse po e pajisë vendin e saj fqinj”, ka thënë Engel.

Kongresmeni Engel ka potencuar se Kosova në fillim të këtij muaji bëri një hap të vogël drejtë krijimit të ushtrisë, legjislacioni i së cilës është dërguar në Kuvend.

“Të gjithë e dimë si shkon ky proces. Por, si do të jetë ushtria e Kosovës? Do të jetë multietnike, ashtu siç është Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës. Do të jetë partnere me vendet e perëndimit dhe NATO’n në ndjekje të stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar”, ka thënë Engel.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme