Dështimi i diplomacisë kosovare u pa në vitin 2018, duke mos u anëtarësuar në INTERPOL, duke pasur veç një njohje e shumë ç’njohje.
Dështimin assesi ta pranojë ministria e Punëve të Jashtme, në krye të së cilës është Behgjet Pacolli, të cilit larg qoftë t’i shkojë ndërmend dorëheqja.
Diplomacia e egër e Serbisë kundër Kosovës nisi vitin 2019 me një “lajm të madh” se Republika e Palauit është shteti i fundit që e ka tërhequr njohjen e Kosovës.
E siç është mësuar ministria e Jashtme e Kosovës me një shkrim në Facebook e mohon atë që shpesh Serbia e sfidon me persona institucional të shteteve në fjalë, por edhe me dokumente.
Tërheqjen e njohjeve e kishte konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili në fund të dhjetorit të vitit të kaluar tha se disa shtete e kanë hequr njohjet ndaj pavarësisë së Kosovës.
Lajmi.net ka kërkuar nga zv/kryeministri Hoxha të jep informacione të sakta rreth kësaj çështje që veç se ka marrë përmasa serioze të dështimit, mirëpo ai ka thënë t’i drejtohemi MPJ-së.
E kujt t’i drejtohemi në MPJ? Ministrit Pacolli apo këshilltarit të tij që veç kur i duhet për promovime të prononcohet.
Sidoqoftë, lajmi.net ka dërguar disa herë pyetje në MPJ, madje edhe të këshilltarit të Pacollit i cili sot paska lëshuar një zë në rrjetin e tij social, Facebook.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, sot paska nisur ditën me publikime të disa fotografive ku tenton t’ia mbulojë dështimet e shefit.
Zyberaj, po i cilëson si shpifje dhe propagandë të Serbisë gjitha tërheqjet e njohjeve.
Në Facebook-un e Zyberajt shohim disa fotografi të grumbulluara nga takimet të viteve të kaluara me shtetet që përmenden se kanë tërhequr njohjen, por nuk kemi dokumente kredenciale që e dëshmojnë të kundërtën.
Të vetmen përgjigje që vazhdimisht e japin zyrtarët e MPJ-së, është se e tërë kjo është propagandë e Serbisë dhe se në diplomaci nuk ekziston koncepti i tërheqjes së njohjes.
Shkrimi i plotë i Zyberajt:
Në mungesë të kreativitetit diplomatik, Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, për faktin se përfaqëson mentalitetin e vjetër nacionalist të Millosheviqit, të vetmën temë me të cilen merret e ka rajonin dhe Kosovën.
Ai po bashkëpunon shkëlqyeshēm me mediat në Beograd, në funksion të përhapjes së lajmeve të rreme.
I përdorë e keqpërdorë ato, me qëllim që ta bëjë propaganden e tij të duket më e beshueshme.
Po ashtu, ai takon personalitete të vendeve të largëta, të cilat nuk kanë njohuri për zhvillimet në rajon, dhe edhe atyre provon tu shesë narracionin e tij të rremë e mashtrues.
U premton atyre heqjen e vizave, furnizim me armë, bursa për studentë. Një ditë flet për numrin e njohjeve, të nesërmen deklaron se nuk e di se sa janë ato.
Ka vetëm një të vërtetë, e vërteta është që Serbia e ka zgjedhur mënyrën më fatale të menaxhimit të presionit të brendshëm nga protestat, dhe atij ndërkombëtar për tu pajtuar me njohjen e Kosovës, sic e ka njohur e gjithë bota, shtet i pavarur e demokratik.
Fatale, sepse së shpejti ”Mbreti do të shihet ashtu siç është”!