Gazetar: Adrian Kerimi
As “EPTISA” dhe as “Evrokonsallting” si pjesë e grupit të kompanive mbikëqyrëse të konzorciumit ndërkombëtar “Bechtel&Enka” mbi punimet në Korridoret 8 dhe 10-D nuk kanë ndryshuar pronësi së fundi. Televizionit Alsat ka siguruar dy dokumente që përgënjeshtrojnë përfaqësuesin e “IRD Inxhiniering” në Shkup, Darko Spiroski dhe zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi.
“Sipas informacioneve që i kishim atëherë dhe tani, personi që ju e përmendët nuk ishte i përfshirë në strukturën e pronësisë së kompanisë kur ne e lidhëm marrëveshjen”, deklaroi Darko Spiroski, Drejtues i përfaqësisë “IRD Inzhinjering” Shkup.
Ky dokument dëshmon versionin e kundërt të Spiroskit. Gjendja aktuale në Regjistrin Qendror e siguruar më 8 mars 2023 dëshmon se Branisllav Dimitrijeviq vazhdon të jetë themelues dhe pronar i “Evrokonsallting” Shkup. Partner me Dimitrijeviq rezulton një person me emrin Elisabeta Ivanova.
“EPTISA ka ndryshuar pronësi. Bëhet fjalë për kompani krejtësisht të re dhe nuk është ajo kompani e vitit 2020 për vendimin të cilit ju i referoheni”, u shpreh Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.
Ky është një tjetër dokument që përgënjeshtron zëvendëskryeministrin Grubi. “EPTISA” nga viti 2016 nuk rezulton të ketë ndryshuar pronësi, përveç vendimit që kompania në vitin 2016 të nënshkruan aleancë strategjike me gjigandin “JSTI Group” në Kinë. Nga të dhënat e siguruara në Regjistrin Qendror, “JSTI Group” rezulton si “pronari i vërtetë” i “EPTISA” në Spanjë dhe “EPTISA” me përfaqësi në Shkup.
E vërteta qëndron ndryshe. Sipas dispozitave ligjore, për çdo projekt të ri subjekti juridik merr numër të posaçëm takse por jo edhe pronësi të re siç pretendon zëvendëskryeministri Grubi dhe përfaqësuesi i IRD Inxhiniering, Spiroski. Nga kjo rezulton që EPTISA dhe “Evrokonsallting” kanë të njëjtat pronësi, por opinioni është hutuar si pasojë e mungesës së informacionit që kanë zëvendëskryeministri dhe përfaqësuesi i “IRD Inxhiniering”. Më 8 mars Qeveria nënshkroi marrëveshjen me konzorciumin ndërkombëtar “Bechtel&Enka” për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10-D. Mbikëqyrës të punimeve do të jenë “IRD Inxhiniering”, “Elektra Konsallting”, “EPTISA” dhe “Evrokonsallting”. Kjo e fundit është kompani e themeluar nga Dimitrijeviq i akuzuar për mashtrim në Armeni dhe i arrestuar në Zagreb të Kroacisë në prill të vitit 2021 mbi bazën e flet arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli. /Alsat.mk