Erdogan: Arabia Saudite e ka planifikuar vrasjen e Khashoggit

Presidenti turk Erdogan thotë se vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi ka qenë e planifikuar më parë. Ai foli për një vrasje me paramendim dhe kërkoi sqarimin e plotë të ngjarjes.

Arabia Saudite ka kryer një vrasje “barbare”, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, para gazetarëve, pas konfirmimit të lajmit për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Turqia ka “dëshmi të fuqishme në dorë”. Erdogani foli për tre ekipe të Arabisë Saudite, të cilat kanë ardhur enkas vetëm për këtë qëllim. Në konsullatë ka pasur të paktën 15 persona, ndër ta edhe mjekë ligjor. Në mbrëmjen e 2 tetorit, e fejuara e Khashoggit i ka informuar autoritetet turke të sigurisë, se Khashoggi ka hyrë por nuk ka dalë nga kosullata.

“Kush e ka dhënë urdhërin për vrasje?”

Erdogani ka kërkuar nga Arabia Saudite që ta zbardhë deri në fund këtë vrasje, të tregojë se kush ka dhënë urdhërin për këtë krim dhe ku gjendet trupi i pajetë i Khashoggit. Ai foli për një vrasje me motive politike, por ka dhënë detaje të tjera. 18 të dyshuarit e arrestuar në Arabinë Saudite duhet të dalin para drejtësisë në Turqi, tha Erdogan.

Presidenti turk tha, se vendi i tij do ta bëjë publike të vërtetën e plotë të ngjarjes. Por para gazetarëve nuk nxori detaje të tjera, përveç atyre që janë bërë publike ditët e kaluara. Ministri i Jashtëm Mevlüt Cavosoglu ka ofruar edhe mundësinë e hetuesisë së përbashkët me autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Cavosoglu tha se Turqia do të vazhdojë hetimet e veta.

Një zëdhënës i partisë AKP i hodhi poshtë pohimet e Arabisë Saudite për vrasjen pa qëllim të Khashoggit. “Bëhet fjalë për një vrasje monstruoze, të planifikuar mirë”, tha ai.

Rasti i Khashoggit nuk duhet të përsëritet

Presidenti Erdogan tha, se ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Dschubeir ka premtuar se vrasje të tilla të gazetarëve nuk do të përsëriten. Oborri mbretëror ka premtuar se do të bëhen hetime të hollësishme për këtë rast, me qëllim që e vërteta të dalë në shesh, tha al-Dschubair duke shtuar se përgjegjësit do të nxirren para drejtësisë. “Diçka e tillë nuk duhet të përsëritet kurrë më”, tha ai.

Oborri mbretëror i Arabisë Saudite pohoi të dielën (21.10) se Khashoggi ka vdekur në konsullatë gjatë një përleshjeje me grushta me disa persona. Në mbarë botën janë shprehur dyshime për vërtetësinë e këtij shpjegimi. Riadi më parë pati pohuar për një kohë të gjatë, se Khashoggi është larguar i gjallë nga konsullata në Turqi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme