Inteligjenca e Turqisë bashkë me inteligjencën e Kosovës kishin planifikuar gjithçka, që nga kapja e deri te deportimi i gjashtë shtetasve turq për në Turqi.
Kështu ka deklaruar presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan, pas ekstradimit nga Kosova në Turqi të turqve, rapoton KTV.
“Së fundmi, Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me Inteligjencën e Kosovës, kapën gjashtë përfaqësues të lartë të ‘FETO’-s në Ballkan, i sollën dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe sjellim këtu me lejen e Zotit kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”, ka thënë Erdogan.
Për dëbimin e turqve nga Kosova, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë.
Greg Delawie tha se transparenca dhe “transparenca dhe angazhimi për një proces të rregullt dhe sundim të ligjit janë jetike”.
Kleriku, Fetullah Gulen, dikur bashkëpunëtor i afërt me presidentin turk, e të cilin ky i fundit e akuzon për organizimin e grusht-shtetit në Turqi, në korrik 2016 ndodhet në azil në SHBA.
Turqia i ka dërguar SHBA-së kërkesën për ekstradimin e tij, por administrata amerikane ende nuk e ka marrë këtë vendim.
Ndërkohë, në Kosovë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar përsëri, duke e quajtur arrestimin, shkelje të të drejtave të njeriut.
“Në praktikat ndërkombëtare edhe në vendet më totalitare, nuk është regjistruar ndonjë rast që dikush që ka qenë në rregull me gjithë dokumentacionin e nevojshëm, të trajtohet sikur të ishte krimineli më i madh dhe të ekstradohet në afate rekorde”, thuhet në përgjigjen e KMLDNj-së.
Kosova është bërë vendi i parë në Evropë që ka ekstraduar të kërkuarit nga pushteti i Erdoganit.
Rreth 500 persona kërkohen në gjithë botën, derisa vetëm shtete sikur Iraku e Sudani ia kanë dorëzuar Turqisë të kërkuarit.