Erdoğan: Ndiejmë kënaqësi të madhe për arritjen e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, duke folur rreth tensioneve Kosovë-Serbi, tha se “Shpresoj që të vazhdojmë të njëjtin këtë vrull pozitiv në Ballkan. Sepse tashmë Ballkani nuk mund të duroj më probleme të tilla”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan pas takimit të tij kokë me kokë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe mes delegacioneve, mbajti një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij.

Presidenti turk i cilësoi si tejet produktive takimet që kanë realizuar me homologun dhe delegacionet përkatëse.

Në takimet mes tjerash Erdoğan tregoi se kanë rikonfirmuar edhe një herë rëndësinë që i kushtojnë paqes dhe stabilitetit në Ballkan. “Ndiejmë një kënaqësi të madhe për arritjen e marrëveshjes për kalimin e kufijve me letërnjoftime mes Serbisë dhe Kosovës. Shpresojmë që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt për çështje të tjera problematike, veçanërisht për çështjen e targave”, tha Erdoğan.

Në lidhje me një pyetje nga gazetarët se “Në muajin gusht bëhej fjalë për një atmosferë tensionuese mes Kosovës dhe Serbisë. Tani kjo atmosferë e tensionuar është qetësuar pak. Por, kjo në cilin aspekt u trajtua në takimet dhe Türkiye çfarë pozicioni do të marrë për të qetësuar këtë atmosferë të tensionuar?”, presidenti turk tha se:

“I tregova mikut tim të nderuar se jemi këtu për çdo mbështetje për tejkalimin e këtij problemi mes Kosovës dhe Serbisë. Por, zhvillimet e tanishme janë pozitive. Shpresoj që të vazhdojmë të njëjtin këtë vrull pozitiv në Ballkan. Sepse tashmë Ballkani nuk mund të duroj më probleme të tilla”.

Gjithashtu Erdoğan tha se gjithmonë mbështesin me sinqeritet zgjidhjen e problemeve nëpërmjet dialogut. “Kur kërkohet ndihma jonë, ne japim kontributin e nevojshëm me të gjitha mjetet tona me një mirëkuptim konstruktiv dhe të paanshëm. Jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë për t‘i bashkuar palët në një format që pajtohen tre komunitetet në Bosnjë e Hercegovinë”, tha ai.

– Udhëtime me letërnjoftime do të ketë edhe me Serbinë

Erdoğan më tej duke nënvizuar se marrëdhëniet e shkëlqyera me Serbinë po zhvillohen çdo ditë e më shumë, tregoi se kanë nënshkruar një protokoll për udhëtim me letërnjoftime mes dy vendeve.

“Pas Republikës Turke të Qipros Veriore, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Moldavisë, Serbia do të jetë vendi i 6-të ku mund të udhëtohet reciprokisht me një letërnjoftim me çip”, tha ai, duke shtuar se dje edhe me Bosnjë e Hercegovinën kanë hedhur hapin e parë në këtë drejtim.

Duke folur rreth marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Serbinë, presidenti Erdoğan tha se vëllimi i shkëmbimit tregtar midis Türkiye-s dhe Serbisë vitin e kaluar u rrit me rreth 33 për qind, duke arritur në 2 miliardë dollarë.

Ai mes tjerash foli edhe rreth projekteve të TIKA-s në Serbi, duke treguar se institucioni në Serbi deri në fund të vitit 2022 do të ketë realizuar 350 projekte dhe aktivitete.

Erdoğan njoftoi se së shpejti do fillojë restaurimi i xhamisë Bayraklı në Beograd.

– Lufta në Ukrainë për momentin nuk ka fitues, por ka shumë humbës

Presidenti i Türkiye-s, Erdoğan, duke e komentuar luftën në Ukrainë tha se për momentin nuk ka fitues, por ka shumë humbës, njerëzit vdesin çdo ditë ndërsa Türkiye bën përpjekje për të ndalur konfliktin sa më shpejt që mundet.

“Nuk duket se do të përfundojë në një kohë të shpejtë. U them atyre që e nënvlerësojnë Rusinë, po bëni gabim”, tha Erdoğan duke shtuar:

“Mund ta them shumë qartë se nuk e shoh të drejtë qëndrimin e Perëndimit. Sepse ka një Perëndim që ndjek një politikë të ndërtuar mbi provokimin”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme