Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka paralajmëruar se SHBA-ja po bën një “llogaritje të gabuar” në rajon, si dhe ka hedhur poshtë “planin e papranueshëm” për Gazën të propozuar së fundmi nga presidenti amerikan, Donald Trump, raporton Anadolu.
“Fatkeqësisht, SHBA-ja po bën një llogaritje të gabuar në lidhje me rajonin tonë. Nuk duhet të jetë në një qasje që shpërfill historinë, vlerat dhe trashëgiminë e kësaj gjeografie”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve gjatë udhëtimit të tij të kthimit nga kryeqyteti pakistanez Islamabad.
Duke theksuar të metat në strategjinë e Washingtonit për Lindjen e Mesme, Erdoğan dënoi fuqishëm çdo zhvendosje të detyruar të palestinezëve, respektivisht propozimit të presidentit Trump për të ardhmen e Rripit të Gazës.
Presidenti turk tha se është “absolutisht e papranueshme” të miratohet kjo zhvendosje e detyruar, duke theksuar se “do të ishte një egërsi e plotë”.
“Gaza është një plagë brenda nesh. Po punojmë shumë për ta lehtësuar dhimbjen dhe për ta shëruar atë plagë. Fatkeqësisht, bota islame ende nuk ka ndërmarrë një hap kolektiv”, tha Erdoğan.
“Besimi i gënjeshtrave të sionistëve (nga SHBA-ja) dhe loja me këtë rajon nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të gjakosë tutje plagët ekzistuese. Kjo është rruga e gabuar”, shtoi ai.
Në bisedimet e ardhshme midis presidentit Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, mbi një fund të mundshëm të luftës në Ukrainë, Erdoğan tha se shpresonte se takimi do t’i hapte rrugën një “rezultati pozitiv”.
“Nëse marrim rezultat pozitiv (nga takimi Trump-Putin) që e presim me qëllim të mirë, atëherë bota do të ketë ndërmarrë një hap shumë më ndryshe”, tha ai.
Erdoğan theksoi se presin që Trump të përmbushë premtimin që ka bërë para zgjedhjeve.
“Ai duhet të marrë hapa për të vendosur paqen, jo një luftë të re”, shtoi ai.
Më tej, presidenti Erdoğan ka folur edhe për Sirinë, duke përsëritur qëndrimin e vendit të tij kundër ekzistencës së grupeve terroriste në vend. Ai tha se territori sirian duhet të jetë plotësisht nën kontrollin e qeverisë në Damask.
“Nuk u kemi dhënë dhe nuk do t’u japim as në të ardhmen mundësi strehimi për të mbijetuar organizatave terroriste në veri të Sirisë që përbëjnë kërcënim për vendin tonë”, tha presidenti turk.
Organizatat terroriste, theksoi Erdoğan, duhet të kuptojnë se nuk ka vend për to në Siri, “përndryshe ne nuk do të hezitojmë të marrim masa për t’i bërë ta kuptojnë këtë të vërtetë”.
Për lidhjet ekonomike me Kinën, Erdoğan njoftoi plane të reja investimi në sektorin automobilistik të Türkiyes.
“Ne kemi bërë një marrëveshje me një kompani kineze. Ka përpjekje për të themeluar një fabrikë në (provincën turke) Manisa. Një tjetër markë kineze gjithashtu po planifikon të hapë një fabrikë në (provincën turke) Samsun”, tha Erdoğan.