Presidenti i Turqisë Erdogan do të takohet sot me Presidentin e Rusisë Putin për të diskutuar për arritjen e një marrëveshje për grurin.
Takimi mes dy liderëve do të zhvillohet në Soçi të Rusisë.
Marrëveshja për eksportin e grurit të Ukrainës u arrit 1 vit më parë, por Rusia e braktisi këtë marrëveshje në muajin Korrik duke pretenduar se eksportet e saj të ushqimeve u përballën me pengesa.
Marrëveshja e grurit 1 vit më parë u negociua nga OKB dhe Presidenti turk.
Do të jetë sërish Erdogan që do të tentojë të bindë Presidentin Putin për t’iu rikthyer marrëveshjes, që të lejohet eksporti i grurit të Ukrainës për të lehtësuar në krizën globale të ushqimit.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB i ka dërguar ministrit të Jashtëm rus një dokument me propozime konkrete me synimin për të mbajtur në fuqi marrëveshjen për grurin.
Një nga kërkesat kryesore të Moskës për t’iu rikthyer marrëveshjes së grurit është që Banka Bujqësore Ruse të futet përsëri në sistemin e pagesave ndërkombëtare bankare SËWFT, të cilën BE-ja ja ndërpreu në Qershor 2022 si pjesë e sanksioneve për agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.