Erdoğan: TEKNOFEST-in do ta bëjmë brend botëror

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se festivali turk i aviacionit dhe teknologjisë TEKNOFEST do të bëhet një brend botëror i kësaj fushe në vitet e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

“TEKNOFEST, jo vetëm që i prezanton rinisë sonë teknologjitë më moderne, por edhe i inspiron ata për angazhim të përbashkët, frymë ekipore dhe u ngjall ndjenjat patriotike”, deklaroi Erdoğan gjatë fjalimit në festivalin më të madh të aviacionit dhe teknologjisë në Turqi, TEKNOFEST, në Stamboll.

“Me investimet dhe sukseset që kemi arritur gjatë 19 viteve të fundit, jemi duke përgatitur infrastrukturën e TEKNOFEST-it, platformës teknologjike që me të vërtetë frymëzon rininë tonë”, shtoi ai.

Ai vuri në dukje se planifikojnë të mbajnë këtë festival të aviacionit dhe teknologjisë edhe në disa vende të tjera.

“TEKNOFEST-in do ta bëjmë brend botëror dhe do ta organizojmë edhe në vendet mike dhe aleate, duke filluar nga Azerbajxhani. Ne do ta kthejmë TEKNOFEST-in në një festival të teknologjisë dhe inovacionit, jo vetëm në vendin tonë, por edhe globalisht”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se janë të lumtur dhe krenarë kur shohin arritjet e mëdha teknologjike, në produktet e zhvilluara me kapacitetete vendase dhe në kompanitë kombëtare në Turqi.

“Ne e dimë shumë mirë që të rinjtë tanë kanë një karakter, një vizion dhe pikëpamje që nuk mund të përshkruhen me fjalë”, tha presidenti turk.

Ai kujtoi se Turqia ka arritur suksese të shumta dhe përparim në fusha të shumta gjatë dy dekadave të fundit.

“Ndërsa ne po flasim sot për arritjet në teknologjinë tonë vendore dhe kombëtare, hapat e ndërmarrë në 19 vitet e fundit sigurisht që kanë një pjesë të madhe në këtë”, tha Erdoğan.

Në ditën e parafundit të festivalit më të madh turk të aviacionit dhe teknologjisë TEKNOFEST, i cili mbahet në Stamboll, vizitorët kanë mundësinë të shohin risitë dhe arritjet e shumta në fushën e aviacionit dhe teknologjisë.

Sot, vizitorët, ndër të tjera, mund të shohin fluturime demonstruese të modeleve të ndryshme të aeroplanëve dhe helikopterëve.

Vëmendjen e veçantë tërheq “Hurkus”, aeroplani me dy ulëse dhe me krahë të shkurtër turbo-helikë, i prodhuar nga Industria Turke e Hapësirës Ajrore (TAI), si dhe helikopterët ushtarakë turq “ATAK”.

Fluturimet demonstruese në Aeroportin Ataturk u ndoqën gjithashtu nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan me gruan e tij Emine Erdoğan, si dhe zyrtarë të tjerë dhe mysafirë.

Ngjarja gjashtëditore, e mbajtur në Aeroportin Ataturk, përfshin një numër aktivitetesh, të tilla si shfaqje ajrore me aeroplanë ushtarakë, dronë dhe helikopterë, seminare, samite, gara dhe panaire të ndryshme.

Si pjesë e TEKNOFEST 2021, garat teknologjike do të mbahen në dhjetëra kategori të ndryshme, të tilla si transport i mençur, dizajn helikopteri, bioteknologji, robotikë, makina fluturuese, raketa dhe sisteme nënujore pa pilot.

Organizatorët e TEKNOFEST-it janë Fondacioni Turk për Teknologjinë dhe Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë e Turqisë.

Në vitin 2019, TEKNOFEST u vizitua nga rreth 1,72 milion njerëz në Stamboll. Anadolu Agency ka qenë partneri global i komunikimit i ngjarjes që nga viti 2018.

TEKNOFEST-i i këtij viti mbahet nga 21 deri më 26 shtator.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme