Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dalë me një mesazh të qartë për anëtarët e grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve, duke i kërkuar të zbatojnë me përpikëri ligjin dhe udhëzimet e KQZ-së gjatë procesit të numërimit.
Celibashi thekson se çdo cenim i votës së një kandidati në listën “e hapur” përbën një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor dhe do të ketë pasoja serioze ligjore për përgjegjësit.
Ai thekson gjithashtu se është e ndaluar të bëhet rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet, tani që ka nisur numërimi dhe vlerësimi i votave për kandidatët.
“Ligji përcakton qartë se fletët e votimit, në të cilat vota është shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë procesit të vlerësimit të votave për kandidatët”, thekson Celibashi.
Sipas tij, çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për manipulim të rezultatit zgjedhor dhe do të pasohet me masa të rënda ligjore.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi gjithashtu se KQZ disponon filmimet e plota të procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet në të gjitha KZAZ-të.
Mesazhi i Celibashit:
Duke falënderuar të gjithë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve që po e kryejnë detyrën me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e KQZ-së, dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve:
Cenimi i votës së çdo kandidati në listën “e hapur” përbën një shkelje të rëndë të integriteti zgjedhor e që sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit.
Në këtë kuadër, rikujtojmë se është e ndaluar të bëhet një rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave për kandidatët në listën “e hapur”.
Ligji përcakton qartë se, fletët e votimit, në të cilat vota është shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për kandidatët.
Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet për të gjitha KZAZ.