Është rritur numri i zyrave të deputetëve nëpër qytete të ndryshme për takime me qytetarët

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Kuvendi ka rritur numrin e zyrave të deputetëve të cilat janë të rezervuara për takime me qytetarët, dhe atë në çdo zone zgjedhore. Pas tragjedisë në diskotekën PULSE në Koçan, qytetarët e këtij vendi kanë shtuar kërkesat për takim me deputetët, për të parashtruar pyetje dhe kërkesa varësisht nevojave. Kjo më tepër është bërë nga familjarët e fëmijëve të cilët humbën jetën por edhe u lënduan rëndë nga zjarri në diskotekë. Në zyrën e hapur në Koçan nga deputeti Mile Lefkov, janë realizuar gjithsej 30 takime me qytetarët. Kërkesat më së shumti kanë qenë për rregullimin e marrëdhënies së punës, për shkak se prindërit është dashur të qëndrojnë afër fëmijëve në spital gjatë periudhës së mjekimit.

“Informacionet vinin nga ata që ishin më të prekur. Bëhet fjalë për rregullimin e mungesës në punë për shkak se Qeveria siguroi që me fëmijët e lënduar që ishin për mjekim jashtë vendit, mund të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit. Kishte kontakte të tilla për atë se si do të rregullohet kjo. Praktikisht kemi qenë ura lidhëse mes institucioneve. Më duhet të theksoj se mbështetje të tillë kam marrë edhe nga kolegët nga gjithë Maqedonia, jo vetëm nga njësia zgjedhore nr 3, për çdo gjë ishin në dispozicion”, tha Mile Lefkov – Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Përpos në Koçan, Kuvendi ka rritur numrin e zyrave edhe në qytete të tjera. Siç njoftojnë nga Kuvendi, nga shtatori i vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, janë hapur gjithsej 48 zyra ndërsa janë realizuar 1146 takime mes qytetarëve dhe deputetëve. Janë regjistruar 806 raste dhe kërkesa të reja, të cilat janë përpunuar dhe janë dërguar nëpër institucione për shqyrtim. Prej tyre, 259 raste janë zgjidhur.

“239 pyetje të dorëzuara deputetësh. Këto pyetje janë rezultat i nevojave konkrete dhe probleme të shprehura nga ana e qytetarëve, të cilët janë përcjellë në pyetje formale në Kuvend. 105 iniciativa qytetare të ngritura në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këto iniciativa kanë të bëjnë me problemet konkrete dhe propozimet të cilat janë dorëzuar nga ana e qytetarëve dhe formalisht janë shqyrtuar nga deputetët”, thonë nga Kuvendi.

Në Shtip janë hapur dy zyra, një i deputetit Nikolla Micevski dhe një i deputetit Pavle Arsovski. Që të dy, bashkarisht kanë realizuar 50 takime me qytetarët. Në Probishtip është hapur një zyre e deputetes Dragana Arsova, ku janë realizuar 24 takime me qytetarët./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme