Është thirrur nga Prokuroria Speciale/ Kryeministria letër Gjykatës: Kurti s’ka refuzuar të dëshmojë, por… të pyetet në zyrën e tij

Zyra e Kryeministrit të Kosovës i është drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për dëshminë e kryeministrit Albin Kurti lidhur me rezervat shtetërore.

Në letrën drejtuar Gjykatës thuhet se kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të japë dëshminë e tij.

Po ashtu, thuhet se Kurti ka dhënë disa alternativa sa i përket kohës se kur mund të intervistohet, duke insistuar që dëshminë ta japë nga zyra e tij.

Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit, rrjedhimisht nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar. Kjo tregon një mungesë të qartë të vullnetit për të mundësuar një dëshmi që, sipas pretendimeve të Prokurorisë, është e domosdoshme për të kryer hetimet në çështjen në fjalë. Po të kishte vullnet për ta intervistuar Kryeministrin, intervista e tillë do të ishte kryer muaj më parë, me një prej datave të propozuara nga vetë Zyra e Kryeministrit“, thuhet në letrën e ZKM-së.

Zyra e Kryeministrit po ashtu thotë se ky qëndrim i kryeministrit të Kosovës nuk është shmangie nga procesi dhe bazohet në disa faktorë.

Në letër janë të renditura; pikëpamja institucionale dhe respekti për pozitën e kryeministrit, ku thuhet se duhen marr parasysh angazhimet dhe koha e Kurtit.

Po ashtu, kërkesa që të japë dëshminë nga Zyra e Kryeministrit arsyetohet me precedentët e krijuar me intervistimet e mëhershme në kryeministri.

Publiku ka qenë i informuar mirë lidhur me largimin me dhunë të prokurorëve nga ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga kryeministra që kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi në kundërshtim me çdo normë ligjore. Por duket që fuqia e tyre përballë Prokurorisë i ka zmbrapsur të njëjtit. Kryeministri Kurti, përtej qëndrimeve të tij të fuqishme e publike mbi korrupsionin e krimin ekzistues rreth Prokurorisë Speciale, nuk ka refuzuar të përballet me përgjegjësitë institucionale dhe ka pranuar të dëshmojë“, thuhet në letër.

Po ashtu, drejtuar Gjykatës Themelore, zyra e kryeministrit thotë se ftesa për dëshmi ka natyrë politike.

Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar“, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Letra përmbyllet me kërkesën që Gjykata Themelore të obligojë Prokurorinë Speciale që dëshminë e Albin Kurtit ta marrë në kryeministri.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme