Eshtrat e Demë Ali Pozharit rivarrosen në vendlindje, gjithë jetën ia kushtoi bashkimit kombëtar

Në Pozhar të Deçanit është bërë rivarrimi i eshtrave të patriotit Demë Ali Pozhari. Me zbulimin e një pllake përkujtimore u mbajt edhe një ceremoni e riatdhesimit të tij nga Turqia ku përfaqësues institucional vlerësuan lart veprën e Ali Pozharit, për të cilin u tha se gjithë jetën me veprimtarinë politike e ushtarake ia ka kushtuar çështjes kombëtare e bashkimit kombëtar.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se Ali Pozhari lidhet me rezistencën e pashkëputshme shqiptare, bashkë me familjen e tij, në epokat më të rënda që kanë përjetuar shqiptarët.

Sejdiu: Riatdhesimi i Pozharit një shembull që duhet ndjekur

“Sado që larg të ketë qenë ky njeri nga atdheu i vet, njeri që ka mbet gjallë gjithë kohës me lëvizjet e fuqishme në Kosovë duke quar selamet e herë pas hershme se do të vijë një ditë kur ai gjallë ose si sot eshtrat e tij të kthehen ne Kosovë. Andaj ky është një amanet që e kanë pasur edhe shumë të tjerë dhe është mirë zoti kryetar Ramosaj dhe te tjerë të jetë një shembull të përmbushet ajo porosia e tyre se po shkoj me sy qelë si po mbet Kosovë, se po shkoj me sy qelë si të kthehem në Kosovë. Për ne si brez i mëvonshëm ka qenë një shembull që duhet ta kemi parasysh edhe në kuptimin e unitetit të sfidave të mëdha që janë para Kosovës edhe sot”, tha Sejdiu.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kujtoi sakrificën e Pozharit dhe luftëtarëve të asaj kohe.

Haradinaj: Thonë se e ka lënë zjarrin dhez kur ka dal me i marr rrugët e gurbetit

“Thonë se e ka lënë zjarrin dhez kur ka dal me i marr rrugët e gurbetit, pushtuesit në atë kohe kanë punuar shumë me ndalë atë zjarr, por për besë nuk ja kanë arrit, ai zjarr është ndez në zemrat e çdo shqiptari, ai zjarr i ka ndez zemrat e çdo luftëtari, edhe brezit të UÇK-së, nuk është ndalë zjarri i lirisë. Komandant ne jemi në aleancë me perëndimin, në aleancë me Amerikën, komandant, Kosova e Shqipëria kanë ushtri, Shqipëria është NATO, por edhe ne po hyjmë në NATO”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Komunës se Deçanit, Bashkim Ramosaj e kujtoi Demë Ali Pozharin si patriot të madh.

Ramosaj: Demë, je model, shkollë e veçantë për kombin tonë

“Historia jonë, lavdia jonë, aktivitetet tona, përpjekjet për liri janë ligjërim i brezave të tërë të përcjella si porosi e amanete. Na bashkoi edhe njëherë Demë Ali Pozhari, shumë sakrificë nga ky patriot i madh….Sot ne jemi ata që duhet të japim shembullin për bashkim e zhvillim e ecje përpara, pa inate, e më shumë përkushtim për shtetin tonë e të ardhmen tonë. Madhështia jote të bëri hero për kombin, të bëri nderin e kombit sepse nuk u lëkunde kur mbete vetëm, por qëndrove, nuk u ligështove kur të masakruan tërë familjen, nuk u hakmore e kurrë asnjë fjalë të keqe e urrejtje nuk ushqeve për shqiptarët. Je model, shkollë e veçantë per kombin tonë”, tha ai.

E sipas kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dita e sotme duhet të jetë festë për gjithë Kosovën meqë u arrit kthimi i eshtrave të Demë Ali Pozharit në fshat.

Gjini: Sot për gjithë Kosovën duhet me qenë festë

“Sot për Deçanin për ne për Pozharin për Dukagjinin dhe gjithë Kosovën duhet me qenë festë. Urime që mbërrit me bë një punë kaq të madhe kaq këtë rëndësishme. Kjo familje nuk e ka mbajt atë mburrje në shpi por ja dha kombit të vet. Të gjithë ne duhet me thënë urime që keni mbërri me i pas eshtrat e Ali Pozharit afër familjes”, tha ai.

Në ceremoni i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Blerim Ndreu.

Ndreu: Është ditë vlerësimi, ditë memorie, ditë shumë e madhe për ne

“Një patriot i përmasave të Demë Ali Pozharit kthehet në atdhe, në atdheun ku ai dhe familja e tij derdhen gjak kaq shumë. Është ditë vlerësimi, ditë memorie, ditë shumë e madhe për ne, tregojmë që të gjithë ne jemi bashkë”, tha ai.

Demë Ali Pozhari ishte ushtarak dhe vullnetar shqiptar në betejën e Pazarit të Ri. Dema ishte një prirës i forcave vullnetare nga rajoni i Pejës të dërguara në Betejën e Pazarit të Ri.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, më 23 korrik 2012, i ka dorëzuar familjes së atdhetarit Demë Ali Pozhari, nga fshati Pozhar, komuna e Deçanit, dekoratën e ndarë në njëqind vjetorin e pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme