Përderisa disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë marrë iniciativën për të thirrur një debat parlamentar për të diskutuar për skandalet me mishin që përdorin kosovarët, një koleg i tyre mund të dënohet nga gjykata.
Kjo pasi, me zbulimin e skandalit të kapjes së mishit të prishur në ETC, për shefin e kësaj kompanie që është deputet, është kërkuar nisja e procedurave ligjore për kundërvatje, shkruan gazetametro.net.
Sipas detyrës zyrtare, inspektori Shkumbin Osmani ka kërkuar nisjen e procedurave kundërvajtës kundër pronarit të kompanisë ETC, Ramiz Kelmendi.
“Inspektori sanitar, sipas detyrës zyrtare, paraqet këtë “KËRKESË për fillimin dhe zhvillimin e procedurës kundërvajtëse” kundër Ramiz Kelmendit, me nr personal ******** me banim në Pejë, pronar i Sh.P.K Elkos, i cili veprimtarinë e zhvillon në Mitrovicë në rrugën Dëshmorët e Kombit, “SEPSE” me datë 15.02.2018, gjatë kontrollit është konstatuar se mishi i ruajtur nuk i përgjigjet parametrave ligjore sa i përket ruajtjes dhe deponimit, pajisjet nuk i plotësojnë kriteret për ruajtjen e mishit në bazë të kushteve higjeno-sanitare, kushtet mikroklimatike, ambalazhi nga e cila varet edhe kualiteti dhe konsumi i mishit”, ka shkruar në kerkesë inspektori Osmani.
Ndërkaq, më poshtë në arsyetim ai shpjegon edhe gjendjen e mishit të kapur, ku potencon se mishi ishte i dëmshëm për konsum, pasi në mish vërehej edhe ndryshimi i gjendjes së mishit.
“Është konstatuar se mban mish të paambalazhuar dhe në kushte joadekuate të ruajtjes, është i dëmshëm për konsum. Në sipërfaqe të karkases dallohet ndryshimi organoleptike dhe ky mish nuk është për konsum publik dhe duhet të asgjësohte”, ka arsyetuar kërkesën inspektori.
E Metro ka provuar të kontaktojë deputetin Ramiz Kelmendi për të marrë edhe fjalën e tij rreth kapjes së mishit dhe nisjes së procedurave, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në telefon. Gazeta ka biseduar dje me disa përfaqësues të ETC’së, të cilët kanë pranuar inspektimin, por të pyetur për mishin e kapur, kanë dhënë argumente rrethanore.