Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, po planifikon një turne në Ballkanin Perëndimor me qëllim të luftimit të ndikimit rus e kinez.
Udhëtimi i tij, nga 26 shkurti deri më 1 mars, do të përfshijë Prishtinën, Tiranën, Podgoricën, Shkupin, Sarajevën dhe Beogradin para se të përfundojë me një vizitë në Sofje, vend i cili kryeson presidencën aktuale të BE-së.
Një burim i BE-së tha se Juncker po e zhvillon këtë turne për shkak se “Ballkani Perëndimor strategjikisht është shumë i rëndësishëm, dhe herët a vonë do të bashkohet në BE”.
“Ndikimi gjeopolitik i Rusisë, Kinës, Turqisë atje po rritet, dhe është shumë me rëndësi që ndikimi i BE-së të mbetet atje dhe të jetë mbizotërues”, ka thënë burimi për “EUobserver”.
Juncker nisi mandatin e tij më 2014 duke thënë se nuk do të ketë zgjerim të BE-së në një të ardhme të parashikueshme.
Por të martën (6 shkurt), komisioni planifikon të thotë se Mali i Zi dhe Serbia mund të jenë të gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri më 2025 në një strategji të re të Ballkanit Perëndimor.
Burimi i lartë i BE-së thotë se data është një “perspektivë, jo afat përfundimtar”.
“Procesi do të mbetet siç është, i bazuar në merita, dhe nëse këto merita arrihen, atëherë 2025 mund të jetë datë realiste për pranim”, tha burimi, transmeton Koha.net.
Burimi shtoi se të gjitha çështjet territoriale, siç është mos-njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, “duhet të zgjidhen” deri në atë kohë.
Po ashtu, ky burim tha se edhe mosmarrëveshja kufitare mes Kroacisë dhe Sllovenisë, që tashmë janë anëtare të BE-së, duhet të zgjidhet në mënyrë që gjërat të shkojnë përpara.
“Çështja mes Kroacisë e Sllovenisë është një barrë e rëndë për Ballkanin Perëndimor, dhe nëse nuk zgjidhet shpejt, i tërë momentumi i Ballkanit Perëndimor do të vritet”, tha burimi, duke shtuar se “komisioni s’ka çfarë të bëjë ligjërisht” për të intervenuar.
Hungaria, për shembull, e ka mirëpritur iniciativën e Junckerit.
“Nëse e shihni SHBA-në, Rusinë, të dyja kanë një strategji për Ballkanin, por BE-ja nuk ka një strategji për Ballkanin… BE-ja duhet të jenë forcë stabilizuese atje”, ka thënë Zoltan Kovacs, zëdhënës si qeverisë hungareze, transmeton Koha.net.
Ai tha se Mali i Zi është “i gatshëm të hyjë” në BE dhe se Serbia “duhet të pranohet sa më shpejtë që të jetë e mundur – 2025-a do të ishte mirë”.
Shtysa e re diplomatike është t’i shohim 28 liderët e BE-së të takojnë gjashtë homologët e tyre ballkanikë në një samit në Sofje në maj.
Kundërshtimi spanjoll
Spanja, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës nga Serbia, ka kërcënuar me prishje të shfaqjes.