Me iniciativën e eurodeputetit Igor Sholtes, raportuesit në Parlamentin Evropian për Kosovë, si dhe eurodeputetes Rebecca Harms, 28 deputetë nga grupe të ndryshme politike të Parlamentit Evropian i kanë dërguar letër Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj, me ç’rast kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq.
Eurodeputetët kanë kritikuar ashpër anulimin e lejeve të qëndrimit për gjashtë shtetasit turq, pa asnjë procedurë ligjore, si dhe deportimin e tyre pa ndonjë kontakt me avokatët e tyre si dhe pa zhvillimin e ndonjë gjykimi.
“Përderisa Kosova është pjesë e procesit të integrimit do të duhej të bashkërendojë me standardet evropiane. Sundimi i ligjit është princip thelbësor i Bashkimit Evropian. Jemi të brengosur që një gjë e tille është harruar tërësisht, që shtetet kanë obligim moral dhe ligjor t’i respektojnë konventat dhe protokollet ndërkombëtare të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e dinjitetit themelor njerëzor dhe janë respektuar për shekuj me radhë”, thuhet në letër.
Ata kanë bërë thirrje për autoritetet kosovare që t’i respektojnë në plotni procedurat ligjore në linjë me principet dhe standardet e BE-së. Gjithashtu është theksuar që procedurat arbitrate të arrestimit, ndalimit dhe ekstadimit, përbëjnë shkelje të këtyre standardeve.
Eurodeputetët janë shprehur optimistë se autoritetet në Kosovë do t’i mbrojnë të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit dhe t’i bëjnë ballë presionit të Turqisë.