Autoriteti Irlandez i Aviacionit po i heton raportet nga pilotët e avionëve të cilët po thonë se kanë vërejtur një objekt të paidentifikuar duke fluturuar mbi Irlandë.
Një pilot i fluturimit BA94 të British Airways, që po fluturonte nga Montreal, kontaktoi kontrollin e trafikut ajror në Shannon të premten e kaluar për të raportuar se kishin parë një objekt duke fluturuar shumë shpejtë pranë aeroplanit.
Piloti pyeti nëse kishte ndonjë stërvitje ushtarake pranë bregdetit perëndimor të Irlandës. Më pas, piloti u informua se nuk kishte asnjë stërvitje ushtarake në atë zonë, thuhet në bisedën e incizuar nga Airlive, një uebfaqe për fansat e aviacionit, shkruan Euronews.
Kontrolli i trafikut ajror tha për gazetën Irish Times se asgjë nuk ishte shfaqur as në radarin e parë, as në të dytin. Piloti tha se objekti dhe aeroplani nuk do të përplaseshin, por që u habit se çfarë mund të ishte objekti.