Autoritetet në Shqipëri kanë nisur evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara prej zjarreve në Shëngjin. Ndërkohë, pas kërkesës së qeverisë shqiptare drejtuar Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile dy helikopterë canadair kanë arritur në Shëngjin në përpjekje për të shuar vatrat e zjarreve.
Zjarret në zonën e Shëngjinit kanë dalë jashtë kontrollit gjatë orëve të fundit, duke rrezikuar shtëpi banimi, pallate, një numër biznesesh, si dhe duke mbuluar me tym edhe zonën e plazhit.
Më shumë se 20 automjete zjarrfikëse nga të paktën 7 bashki të vendit janë përqendruar në zonën e Shëngjinit në përpjekje për të vendosur nën kontroll vatrat e zjarrit, të cilat po përhapen me shpejtësi në zonën Shëngjin – Velipojë.
Për shkak të stituatës të rënduar, në mesditë qeveria shqiptare i dërgoi një kërkesë për ndihmë Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.
Në orën 18:06 kanë mbërritur në vatrat e zjarrit në Shëngjin dy helikopterët Canadair të dërguar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile.
Ndërkohë, autoritetet vendore dhe ato të emergjencave civile kanë nisur evakuimin e banorëve në zonat më të rrezikuara nga zjarri.
Autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me forcat e policisë dhe zjarrfikësit në rast nevoje për evakuim.
Depozitat e naftës dhe gazit pranë portit nuk janë në rrezik, sepse është siguruar perimetri përreth tyre.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar 20 vatra zjarri nga Tropoja në Gjirokastër, për shuarjen e të cilave janë angazhuar 519 forca operacionale, 45 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter i ushtrisë./VOA