Fabrika e automjeteve të mençura elektrike vendase turke Togg afër Bursës ka shënuar prodhim rekord muaj pas muaji ndërsa trendi i rritjes së numrit të të punësuarve dhe turneve të punës, pritet të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, raporton Anadolu.
Në gusht, klientët morën numër rekord prej 1.965 automjete T10X nga linjat e montimit në fabrikën në qarkun Gemilik, automjet që u zhvillua tërësisht me burime turke dhe prodhohet në dy edicione duke patur parasysh baterinë që e fuqizon atë.
Prodhimi serik i automjetit Togg filloi në fund të marsit të këtij viti. Plani për rritjen e prodhimit konfirmohet edhe nga fakti se në gusht janë dorëzuar më shumë automjete sesa në tre muajt e mëparshëm së bashku.
Togg Technology Campus ka një kapacitet prodhimi të 175 mijë automjeteve në vit. Togg dëshiron të prodhojë një milion automjete deri në fund të vitit 2032. Qëllimi është që deri në fund të këtij viti të kemi 28 mijë automjete T10X në rrugë.
I hapur zyrtarisht nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan më 29 tetor 2022, Togg Technology Campus përmban objekte për prodhimin e trupit të automjeteve, lyerjen, montimin dhe prodhimin e baterive si dhe një Qendër Zhvillimi dhe Testimi. Kampusi, ku punojnë 250 robotë në linjat e prodhimit, njihet gjithashtu për hapësirën e bojës më të pastër në Evropë.
Në ndërtimin e kampusit morën pjesë 9.000 persona, i cili ka një pistë testimi 1.6 kilometra. Togg aktualisht punëson më shumë se 3.250 persona. Gratë përbëjnë 26 për qind të të punësuarve. Kur kapaciteti prodhues në kampus të arrijë në 175 mijë numri i punonjësve do të jetë 4.300.