Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një i dyshuar në Prizren për fajde, kamata e të cilit rast kalonte mbi 100 mijë euro.  

Në njoftimin për media thuhet se Sektori Rajonal i Hetimeve/Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe një ekip nga Drejtoria e Krimit të Organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë -Prishtine, sot më datë 13.03.2025 ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e një personi të dyshuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Fajde”.

“I dyshuari  E. K, mashkull, 28 vjeçar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, e ngarkon me kamata mujore viktimën, kamata të cilat e kalojnë shumën mbi 100000 (një qind mijë) euro”, thuhet në raport.

Gjatë operacionit policor është kontrolluar banesa e të dyshuarit në Prizren, është arrestuar i dyshuari si dhe janë sekuestruar prova që ndërlidhen me veprën penale.

Pas arrestimit i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti është duke u hetuar nga Sektorin Rajonal i Hetimeve -Prizren. /Telegrafi/