Fajon: Politikanët e përgjegjshëm të zgjidhin krizën në Shqipëri

Tanja Fajon, eurodeputetja që kontribuoi shumë në heqjen e vizave për shqiptarët në vendet e zonës “Schengen”, komenton në një intervistë për “Deutsche Welle” krizën politike të Shqipërisë.

Fajon e përshkruan si tejet shqetësues bojkotin e Parlamentit nga opozita. Por, nga ana tjetër sheh gatishmeri të madhe për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi, e këtë e konsideron si rrugën e  duhur, që Shqipëria të ketë progres në procesin e anëtarësimit në BE.

“Shpresoj që ‘vetting’-u, si pjesë e Reformës në Drejtësi, do të sjellë rekomandime pozitive nga Brukseli, nga Komisioni Europian, që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit diku nga fillimi i vitit të ardhshëm. Lidhur me bojkotin e Parlamentit, propozimi është ende në tavolinë për një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës, që u ofrua nga kolegët e mi europarlamentarë, McAllister dhe Fleckenstein. Mbetet një ofertë e mirekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse. Për marrëveshje mes palëve po vazhdohet të punohet”, tha Tanja Fajon.

“Përherë është në duart e politikanëve të përgjegjshëm të gjejnë mënyra për të zgjidhur krizën, – sqaron më tej Fajon, – të vënë interesat e qytetarëve mbi interesat personale dhe të punojnë për të mirën e vendit”.

Në këtë këndvështrim, ajo e konsideron një zhvillim pozitiv faktin që Parlamenti zgjodhi Presidentin e ri të Shqipërisë.

“Por, si një vëzhguese e jashtme e zhvillimeve politike në Shqipëri, inkurajoj fuqimisht që çdo zgjidhje të ketë një shumicë sa më të gjerë”, shton eurodeputetja sllovene. “Shpresoj të shoh që në Shqipëri, zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit të jenë të lira dhe të ndershme, që në to të marrin pjesë sa më shumë parti politike, duke përfshirë këtu edhe opozitën. Ka ende mënyra, që ajo të jetë pjesë e procesit zgjedhor, opsionet duhen eksploruar”, shkruan TCH.

Ndonëse këmbëngul në pjesëmarrjen e opozitës në të mirë të stabilitetit politik të vendit, Fajon përsërit mesazhin se, zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit pa PD-në dhe parti të tjera opozitare është legjitim, e po kështu do të jenë legjitime edhe rezultatet e tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme