Falja e personave me dosje kriminale, Presidenca ka “mbyllur” dyert për mediat dhe është në heshtje totale

Gazetar: Suad Bajrami

Derisa opinioni pret përgjigje për faljen e personave me dosje kriminale nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, Vila Vodno i ka mbyllur dyert për mediat dhe është në heshtje totale. Presidenca, tanimë për të tretën ditë me radhë nuk jep kurrfarë sqarimi për temën më të nxehtë në vend, që ka nxitur debate dhe akuza të ashpra për lidhje të politikës me nëntokën.

Nëpërmjet rrugëve jozyrtare, mediat informojnë se mbrëmë ka pasur mbledhje Komisioni i Faljes, për të diskutuar për situatën. Por, nuk dihet as çfarë është diskutuar e as nëse është marrë ndonjë vendim.

Kryetari i Komisionit për Falje, Metodija Kanevçev dhe anëtari Gordan Kallajxhiev, në një deklaratë për televizionin Telma, gjatë ditës së djeshme u arsyetuan se disa prej personave për të cilët kanë dhënë dritë jeshile për t’i falur, nuk e kanë ditur se janë me dosje kriminale. Komisionin, përveç tyre e përbëjnë edhe Arlinda Kadri Shahinoviq, Zora Mitiq, Ana Gjorgjieva Ivanovska dhe Ajten Shaqiri.

Ndonëse sipas procedurës, presidentja e ka fjalën përfundimtare për të falur, Siljanovska Davkova paraprakisht u arsyetua se vendimi ka qenë i Komisionit për Falje. Ajo theksoi se gjatë nënshkrimit të vendimit e ka marrë parasysh vetëm veprën që kanë kryer personat, dhe kush janë ata. Disa prej personave, sipas presidentes janë interesantë, në kuptimin negativ të fjalës.

Emrat që ngritën pluhur nga faljet për nder të 23 Tetorit, ishin Shenoll Masllani, i cili para pesë vitesh u arrestua për drogë, sulm ndaj një policit dhe armatim, por edhe Akif Ravmanovskin nga Haraçina, i cili është pjesë e grupit kriminal “Baron”, ndërkaq ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Por Ravmanovski vetëm 1 ditë e gëzoi faljen. Policia dje e arrestoi lidhur me incidentin e 14 tetorit para Komunës së Çairit. Sipas policisë ai ka qenë dorasi që ka shtënë me armë zjarri ndaj një 35 vjeçari. Policia, ka dorëzuar padi penale për tentim vrasje. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme