Vetingu në sistemin e drejtësisë ka treguar deri më tani se gjyqësori dhe prokuroria janë të mbërthyera nga korrupsioni.
21 persona kanë ngelur në veting dhe ka nga ata që kanë pasuri mbi 1 miliardë lekë.
Por teksa po arrihen shumë rezultate nga KPK, ka shumë nga ata që kanë hedhur idenë e një vetingu në politikë.
Nëse shihen deklarimet që politikanët kanë bërë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive, ka emra me pasuri shumë të lartë.
Në krye janë biznesmenët me të ardhur vjetore mbi 1 milion euro, por ka dhe deputetë të thjeshtë që nuk mbeten mbrapa.
Sot ka publikuar të dhëna se si ka ndryshuar pasuria e familjes Berisha, pasi është ndër më të akuzuarat për pasurimin në kurriz të politikës.
Sipas deklarimeve të bëra në ILDKP, që prej vitit 2003 e deri në 2017 ka një rritje të ndjeshme të të ardhurave të saj, sidomos te fëmijët e ish-kryeministrit Berisha.
Në ILDKP kanë deklaruar pasuritë Sali Berisha, bashkëshortja e tij Liri Berisha, vajza Argita Malltezi dhe djali Shkëlzen Berisha.
Këta të fundit kanë nisur të deklarojnë pasuri që prej vitit 2008.
Nëse vihet re, Berisha në deklaratën e tij të parë ka deklaruar: Apartament banimi 69 m2, përfituar nga privatizimi, zotëron 33%; Lekë CASH: 0.5 milionë lekë dhe 2.1 milionë lekë dhënë hua vajzës. Por kjo pasuri ka ndryshuar nga viti në vit.
Rezulton se djali dhe vajza e Berishës kanë të ardhura shumë të larta. Gazeta më poshtë po tregon pasurinë e tyre vetëm në dy vitet e fundit dhe në 2016, të ardhurat në total të tyre llogariten në rreth 1 milion euro.
Të ardhurat në lekë janë konvertuar në euro sipas kursit të ditës dhe është bërë një përafrim shifrash.>
Ata kanë deklaruar llogari bankare brenda dhe jashtë vendit.
Argita ka deklaruar llogari në një bankë amerikane, ndërsa Shkëlzen Berisha ka deklaruar llogari në një bankë suedeze. Po ashtu ata kanë blerë ndër vite makina dhe banesa të shtrenjta.
Malltezi ka burim të ardhurash si pedagoge në universitet publik dhe privat, po ashtu ka fitime të larta nga qiraja e dy apartamenteve, ndërsa po ashtu ka deklaruar fitime nga shitja e librave.
Ndërsa Shkëlzen Berisha ka deklaruar fitime shumë të mëdha nga konsulenca juridike dhe nga qiratë në disa raste.
Sa i takon pronave të deklaruara, Berisha ka deklaruar fillimisht vetëm një apartament 69 m2, por pasuria e deklaruar nga fëmijët e tij është shumë herë më e lartë. Zonja Malltezi ka deklaruar 2 apartamente të dhënë me qira, më pas ka blerë 2 apartamente në Tiranë dhe një në Gjin e Lalëzit.
Po ashtu dhe Shkëlzen Berisha ka deklaruar se ka blerë makinë 85 mijë euro.
Po ashtu ka deklaruar blerje apartamenti me sip. 198 m2 dhe parkingu në ETC, për vlerën 346 500 euro./tema/