Gazetar: Zekirija Haxhiu
Deri në fund të kësaj jave pritet që të realizohet takimi Mickoski- Taravari. Në këtë takim, do të dihet nëse Taravari dhe partia e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë, apo do të kalojnë në opozitë. Takimin e konfirmoi edhe vet Taravari, i cili para mediave tha se janë në komunikim me kryeministrin dhe do të takohen.
“Deri tash vendimi ynë është vetëm një, se në listat për këshilltarë Aleanca për Shqiptarët del e vetme, për kandidat për kryetarë komunash kemi thënë se jemi të hapur para se gjithash me VLEN-in nëse kanë disponim, nëse s’kanë disponim opsioni i dytë është vetë, më tutje e shohim”, deklaroi Arben Taravari – Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë zv.kryeministri Aleksandar Nikollovski në një intervistë për 360 Gradë tha se nëse Taravari bashkëpunon me BDI-në, kjo do të përbënte vetëvrasje politike.
“Nuk mendoj se është aq shumë naiv të hyjë në bashkëpunim me BDI-në. Mendoj se pak edhe opinioni po e nënçmon dhe nuk mendoj se do të bëjë hap drejt asaj që të bëjë vetëvrasje politike. Do të befasohesha nëse tregon naivitet të tillë politik”, u shpreh Aleksandar Nikollovski – Zv.kryeministër.
Kjo deklaratë e Nikollovskit shkaktoi reagimin e BDI-së. Nga kjo parti pyesin pse e gjithë kjo urrejtje ndaj BDI-së dhe ndaj shqiptarëve.
“Deklarata e nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së se “bashkëpunimi i një partie shqiptare me BDI-në është vetëvrasje politike” nuk është gjë tjetër veçse dëshmi e ambicies së tyre të rrezikshme për të bërë inxhiniering të skenës politike shqiptare, me synim krijimin e një strukture shqiptare marionetë nën kontroll dhe njëkohësisht, dëshmi e hakmarrjes së tyre ndaj BDI-së dhe shqiptarëve – për qëllime të thella gjeopolitike, antieuropiane dhe shoviniste”, njoftojnë nga Aleksandar Nikollovski, zv.kryeministër.
Çështja e largimit të Taravarit nga Qeveria u bë aktuale pasi kryesia e partisë së tij mori vendim që në zgjedhjet e ardhshme lokale, me lista të këshilltarëve të garojë e vetme ndërsa për kryetarë komunash, do të bashkëpunojnë me kë të mbërrijnë. Këtë nga VLEN e quajtën vetëpërjashtim nga koalicioni ndërsa theksuan se në fakt Taravari ka bashkëpunim të fshehtë me BDI-në. Edhe me BDI-në edhe në Qeveri, nuk mundet, pati deklaruar zv.kryeministri Izet Mexhiti. /Alsat.mk