Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje tashmë e kanë bërë të qartë që janë pro rrëzimit të Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme
Të dyja subjektet kanë paralajmëruar që do të fillojnë me mbledhjen e nënshkrimeve për të ngritur mocionin dhe për ta rrëzuar qeverinë aktuale, nëse kjo e fundit nuk jep dorëheqje.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, vazhdimisht deklaron që kjo qeveri e ka humbur shumicën në Kuvend pas daljes së Listës Serbe në opozitë dhe se do të ishte e udhës që Qeveria Haradinaj, të japë dorëheqje.
“Ne kemi ofruar propozimin tonë për një tryezë të përbashkët për të caktuar datën e zgjedhjeve. Nëse kjo nuk ndodh jemi të obliguar që ta çojmë përpara mocionin e mosbesimit”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.
Pro mocionit për rrëzim të Qeverisë është edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti, ka deklaruar se kjo qeveria ka rënë moralisht dhe se ajo duhet të bie edhe në numra.
“LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë. Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm. Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit”, ka deklaruar Kurti.
Por se a do të arrijnë këto dy subjekte të mbledhin nënshkrimet për këtë mocion dhe të sigurojnë votat e duhura për rrëzim të Qeverisë, analistët në vend shprehen skeptikë. Ata vlerësojnë se nënshkrimet mund të sigurohen, por dilemë mbetet sigurimi i 61 votave çka do të bënte që kjo qeveri të rrëzohet me mocion.
Madje, thonë se rrëzimin e Qeverisë me mocion mosbesimi e ka në dorë Partia Demokratike e Kosovës.
Analisti politik Ramush Tahiri, thotë për Arbresh.info se nisma e LDK-së për të mbledhur nënshkrimet për mocionin e rrëzimit të Qeverisë është e mirë për shkak që, siç thotë ai kjo qeveri është koalicion i brishtë dhe nuk mund t’i shtyjë proceset përpara.
Sipas tij, rrëzimi i Qeverisë Haradinaj është në dorë të PDK-së.
“Fatkeqësisht apo fatmirësisht edhe këtë herë fati i Qeverisë varet prej PDK-së dhe qysh përcaktohet ajo ashtu ndodhë edhe më votë besimin a do të ketë sukses apo jo dhe nëse mocioni i mosbesimit nuk kalon herën e parë atëherë Qeveria e ka sigurtë 90 ditë që nuk ka më votëbesim dhe ajo që unë konsideroj është mirë që po e nisin këtë iniciativë dhe besoj që i siguron votat e aq më parë që është deklaru edhe AAK-ja që nëse vjen iniciativa edhe ai do ta voton dhe tash një kalkulim votat e LDK-së, VV-së dhe votat e AAK-së e rrëzojnë qeverinë”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, duke folur për atë se e a pret që Lista Serbe ta nënshkruajë këtë mocion dhe të votojë pro këtij të fundit, Tahiri ka pohuar se serbët kanë deklaruar që nuk dëshirojnë të përzihen në punët e partive shqiptare dhe se këtë qëndrim do ta mbajnë.
“Lista Serbe e mban atë qëndrim që nuk përzihet sa i përket partive shqiptare por gjithashtu edhe këto të fundit nuk janë të interesuara me votat e listës serbe me rrëzu qeverinë por nëse janë 27 vota të LDK-së, nëse janë 32 vota të VV-së të dy krahëve dhe me votat e AAK-së kapërcehet 61 vota nëse e mban fjalën Ramush Haradinaj nëse se mban atëherë dështon dhe pas 90 dite del edhe njëherë në votim dhe pas 90 dite unë mendoj kryhet Asociacioni përfundohet raporti për liberalizim të vizave dhe atëherë PDK-ja vet është e interesuar që me rrëzu ka shtatori qeverinë”, ka deklaruar Tahiri.
Kurse, politologu Gurakuç Kuçi është shprehur për Arbresh.info LDK-ja, ka votat e mjaftueshme për ta ngritur mocionin e mosbesimit të Qeverisë për shkak që këtë po e përkrah edhe Vetëvendosja.
Por, ka thënë që dilemë mbetet sigurimi i 61 votave për ta votuar këtë mocion.
“Dilema tjetër është sigurimi i shumicës së votave të deputetëve pra të paktën 61 vota për të kaluar mocioni për rrëzimin e qeverisë. Në këtë proces, nuk mjaftojnë as votat e përfshirjes nga Lista Serbe, por nëse do ketë një komplot të ngjashëm, si rrëzimi i qeverisë së kaluar të Isa Mustafës, ku votat edhe me këtë rast do i japë PDK-ja apo disa deputetë nga PDK-ja dhe Nisma Socialdemokrate, ku këta të fundit pothuajse gjithnjë kanë qenë të pakënaqur me koalicionin. Por, gjasat sidoqoftë për momentin për të kaluar një mocion i LDK-së nuk janë reale, pasi shkuarja për momentin në zgjedhje i konvenon vetëm LDK-së dhe Nismës, përderisa partitë tjera janë të pakonsoliduara dhe do të tentohet gjithashtu që patate të nxehta të vazhdojnë t’i lihen qeverisjes Haradinaj”, ka thënë ai.
Sipas Kuçit, marrëveshjet e fshehta dhe komplotet e klasës politike në Kosovë kundrejt interesave të shtetit dhe të qytetarëve vazhdimisht e kanë ndjekur Kosovën, andaj gjëra të tilla mund të presim edhe tani.
Ai ka thënë se kemi edhe një deklaratë nga BE-ja të cilët kërkojnë që të mos ketë të paktën tani zgjedhje pasi ata duan të realizojnë disa interesa dhe të kalojnë edhe asociacionin, duke lënë të kuptohet se gjysma e dytë e vitit mund të na sjellë zgjedhje.
Ndërsa, shefi i grupit Parlamentar të deputetëve të pavarur, Dardan Sejdiu ka thënë se nuk ka asnjë iniciativë që ka të bëjë më rrëzimin e Qeverisë, duke shtuar se zyrtarë të LDK-së po flasin publikisht për këtë çështje, por ende nuk ka diçka zyrtare