Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) raportoi se midis viteve 1970-2021, më shumë se dy milionë njerëz kanë humbur jetën si dhe është shkaktuar një humbje ekonomike prej 4,3 trilionë dollarësh për shkak të motit ekstrem, klimës dhe fatkeqësive të lidhura me ujin, transmeton Anadolu.
WMO-ja ka publikuar raportin e saj të ri për Kongresin Botëror Meteorologjik, i cili fillon më 22 maj dhe organizohet çdo katër vite për të siguruar që shërbimet e paralajmërimit të hershëm të arrijnë në mbarë botën deri në fund të vitit 2027.
Sipas raportit, ka pasur 11.778 fatkeqësi natyrore midis viteve 1970 dhe 2021.
Më shumë se dy milionë njerëz kanë humbur jetën për shkak të motit ekstrem, klimës dhe fatkeqësive të lidhura me ujin, dhe këto fatkeqësi kanë shkaktuar humbje ekonomike prej 4,3 trilionë dollarësh.
Ndërsa humbjet ekonomike janë rritur për shkak të fatkeqësive natyrore, sistemet e avancuara të paralajmërimit të hershëm dhe menaxhimi i koordinuar i fatkeqësive kanë reduktuar humbjet e jetëve në 50 vitet e fundit.
90 për qind e vdekjeve të regjistruara në mbarë botën kanë ndodhur në vendet në zhvillim. Vetëm SHBA-ja ka raportuar humbje prej 1,7 trilion dollarësh gjatë 51 viteve të fundit, që përbëjnë 39 për qind të humbjeve ekonomike në mbarë botën. Vendet më pak të zhvilluara dhe vendet e vogla ishullore në zhvillim kanë pësuar kosto joproporcionale për shkak të ngjarjeve ekstreme natyrore.
Në vitin 2020 dhe 2021, janë regjistruar gjithsej 22.608 vdekje për shkak të ngjarjeve ekstreme natyrore.
Theksohet se shumë nga ngjarjet natyrore që rrisin humbjet ekonomike hyjnë në kategorinë e “stuhisë”.
– “Paralajmërimet e hershme shpëtojnë jetë”
“Komunitetet më të cenueshme fatkeqësisht mbajnë peshën kryesore të rreziqeve që lidhen me motin, klimën dhe ujin”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i WMO-së, Petteri Taalas.
Duke thënë se uragani Mocha, i cili ka ndodhur së fundmi dhe ka prekur Mianmarin dhe Bangladeshin, është shembull për këtë, Taalas ka theksuar se uragani shkaktoi shkatërrime të mëdha në këto dy vende dhe preku më së shumti të varfrit.
Taalas kujtoi se qindra mijëra njerëz kanë humbur jetën për shkak të ngjarjeve natyrore ekstreme si në Mianmar, ashtu edhe në Bangladesh në të kaluarën.
“Fatmirësisht, falë paralajmërimeve të hershme dhe menaxhimit të fatkeqësive, këto norma katastrofike të vdekjeve i përkasin së shkuarës. Paralajmërimi i hershëm shpëton jetë”, ka deklaruar Taalas.