Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu thotë se drejtësia në vend duhet të ushtrohet në respekt të Kushtetutës, Kodit të Procedurës dhe Kodit Penal, duke përsëritur qëndrimin e opozitës se SPAK-u po përdoret si armë politike kundër opozitës. Vetëm SPAK i ka hedhur poshtë këto kritika.
Mediu i bëri komentet në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite në Uashington për të marrë pjesë në një forum ndërkombëtar të partive konservatore.
Deputeti i opozitës në parlamentin e Shqipërisë tha se ndërsa afrohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, opozita duhet të mobilizohet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të ofruar alternativa për votuesit.
Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkan, zoti Mediu theksoi se Shqipëria, si anëtare e NATO-s duhet të aktivizohet më intensivisht përballë rrezikut të Serbisë, Rusisë dhe Kinës dhe në mbështetje të Kosovës.
INTERVISTA
Zoti Mediu, siç e dëgjuam në lajmin pararendës, një deputet i opozitës dhe një kryebashkiak socialist janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme. Ju vetë jeni në proces gjyqësor për Gërdecin. Zoti Berisha është në pritje të procesit, ndërsa ish presidenti Ilir Meta është i arrestuar. Ajo që bie në sy në Shqipëri janë sulmet ndaj SPAK-ut, ndaj Prokurorisë së Posaçme, por nga ana tjetër duket sikur pozicionet politike në pikat më të larta drejtuese partiake po përdoren si mburojë për t’u mbrojtur ndaj proceseve të tilla…
Fatmir Mediu: Unë mendoj që në thelb ne duhet të analizojmë funksionimin kushtetues. Drejtësia duhet të jetë patjetër në respekt të Kushtetutës, Kodit të Procedurës dhe Kodit Penal. Besoj se është në të drejtën e gjithësecilit, kur shkelen këto elementë, ta ngrejë zërin fuqishëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Unë nuk mendoj që drejtësia mund të përdoret si një armë politike për të realizuar qëllime politike apo të kthehet në një institucion politik. Kjo do të jetë shumë e rrezikshme për vendin. Madje ka diskutime që jemi në kohën e Republikës së SPAK-ut. Ne jemi republikë parlamentare, e nuk jemi as republikë SPAK-u e as republikë gjyqësore, sepse parimi check and balance është mënyra se si funksionon një republikë parlamentare. Ky proces, sidomos tani afër zgjedhjeve, që në shumë raste shkon ndesh me ligjin dhe me Kushtetutën, me përfaqësues e drejtues politikë të opozitës është në dëm të vendit; së pari ndaj një procesi zgjedhor që po afron dhe të pamundësive për të patur një garë dhe një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, i cili është provuar që jo vetëm manipulohet nga qeveria në bashkëpunim me krimin e organizuar me paratë e korrupsionit etj., por tashmë i shtohet edhe një element i drejtësisë. Meqenëse ju thatë se unë jam në një proces për Gërdecin, unë po ju them se unë nuk jam në një proces për Gërdecin, për faktin që vetë gjykata ka thënë që Fatmir Mediu nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin në Gërdec, por jam për shpërdorim detyre me disa akuza që janë më shumë se sa qesharake.
… të lidhura me Gërdecin…
Fatmir Mediu: … për shembull, kanë thënë se unë kam ndërhyrë në kalibrat e municioneve, kur vetë prokurori nuk e di se ç’janë kalibrat i madh apo i vogël, ndaj nuk kam si t’i di as unë se unë nuk jam ushtarak, kur gjithë ekspertiza ushtarake nga shefi i shtabit e kështu me radhë kanë sjellë ato gjykime, të cilat nuk kisha asnjë burim për të kontestuar më tepër se sa ajo ekspertizë që kisha. Unë nuk hyj tek merita e askujt e as tek e imja. Unë do të doja një drejtësi, e cila të funksionjë si një drejtësi e pavarur. Nuk është ajo drejtësi e pavarur, për të cilën unë kam votuar, të them të drejtën, kur u miratua reforma në drejtësi.
Po duke patur parasysh që në fund të fundit institucionet janë të përcaktuara në rastin tuaj konkret, por edhe në rastet e udhëheqësve të tjerë të partive të tjera, a nuk do të ishte më mirë që për sa kohë zhvillohen këto procese, të largoheshit nga drejtimi i partisë pikërish për t’u përballur me këto çështje?
Fatmir Mediu: Unë e kam provuar largimin, por nuk më ka rezultuar pozitiv. Kur isha ministër mbrojtjeje, dhashë dorëheqjen në përgjegjësinë time morale sepse në kohën që ish ministër mbrojtjeje humbën jetën njerëz të pafajshëm. Kjo është një humbje që nuk rikuperohet asnjëherë, pavarësisht nga vendimi që marr unë. Nuk mendoj që po të kishin ikur gjithë liderët e opozitës, do të kishim një situatë politike më të mirë në vend. Sepse duket sikur po i shërbehet një raporti me drejtësinë, që drejtësia të jetë më e lirë, por po shkatërron opozitarizmin në Shqipëri, siç është shkatërruar deri më tani në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar nga ana e maxhorancës. Nëse flasim për të bërë një paralelizëm ndërmjet autoriteteve që qeverisin sot dhe vendimet dhe qëndrimet e autoriteteve që kanë qeverisur dje, qartësisht ka një diferencë shumë të madhe në sjelljet e drejtësisë. Flasim për një kohë të shkuar, në vitin 2008, ndërkohë që ka veprime të dukshme, të qarta korruptive të qeverisjes së sotme, të cilat lidhen me gjithë piramidën e funksionimit të qeverisë shqiptare, që nuk hetohen dhe nuk shqyrtohen si të tilla, për raste që tashmë janë bërë publike për afera korruptive.
Kemi parë raste kur SPAK-u ka vepruar ndaj elementëve të shumicës. Megjithatë, ju përmendet situatën e brishtë poltike, le të themi, të opozitës edhe për shkak të zhvillimeve të këtyre viteve. Si e shikoni gjendjen e saj, në veçanti kur jemi pranë zgjedhjeve të ardhshme?
Fatmir Mediu: Nuk mendoj që opozita ka kohë të qahet për atë që ka kaluar. Çështja është se ajo duhet të mobilizojë veten e para për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rruga më e mirë është organizimi dhe funksionimi opozitar, duke krijuar një front të përbashkët opozitar, një mendim të përbashkët opozitar, një mesazh të qartë për atë çka mund të bëjë më mirë opozita dhe sidomos në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Hapat e parë në bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar janë pozitive. Kemi një rezolutë të partive popullore të Parlamentit Europian, e cila përcakton qartësisht që qëverisja është e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, se nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme dhe një persekutim të lidershipit opozitar nga ana e drejtësisë së kontrolluar dhe të përdorur si arm politike. Po ashtu CDI-ja ka një vëmendje më të madhe në raport me realitetin, i cili duket sikur tejkalohet dhe nuk vlerësohej nga faktori ndërkombëtar. Këtë duhet ta bëjë më së miri opozita dhe ka nisur ta bëjë. Por mendoj që raporti me qytetarët shqiptarë, fryma që ajo përcjell, mesazhi se kush do të jetë qeveria nesër dhe çfarë bën më mirë, nisur edhe nga konteksti si zhvillohen zgjedhjet në Amerikë, nuk ishte vetëm Kamala Harris apo kundër zotit Trump, por propozime konkrete për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, me familjen, me ekonominë etj.; pra opozita duhet të jetë shumë e përqëndruar në propozime dhe marrëdhënie konkrete me qytetarët.
Ju do të dilni edhe këtë radhë nën siglën e PD-së, apo ndryshe në këto zgjedhje?
Fatmir Mediu: Unë nuk kam dalë asnjëherë nën siglën e PD-së. Kemi dalë në sigël koalicioni. I vetmi rast, që ka patur sigël vetëm PD-je ishte viti 2017, kur në mënyrë absurde Basha pranoi që PD ishte vetëm e regjistruar, duke prishur kështu mundësitë…
Atëherë do të jeni në koalicion?
Fatmir Mediu: Po. Do të jemi në koalicion, sepse ne kemi qenë në koalicion me Partinë qysh nga vitet 90 si në qeverisje edhe në opozitë, por një koalicion, i cili duhet patjetër që të ndërtojë marrëdhënie të tilla, duke nisur nga minimumi që është sot e të ecim në konkurrim të përbashkët për të shtuar praninë dhe peshën opozitare si dhe mundësitë për të ndryshuar këtë realitet. Nuk mendoj se ka rrugë ttjer. Një opozitë e përçarë dhe e ndarë nuk mund të sjellë produkt. Ka shumë lëvizje në opozitë, të cilat duan të krijojnë qëndrime dhe raporte të ndryshme. Unë do ta vlerësoja pluralizmin opozitar, por ajo që është e rëndësishme është që votat të kthehen në mandate. Në momentin kur votat nuk kthehen në mandate, atëherë ato kthehen në favor të qeverisë dhe në dëm të opozitës.
Meqenëse ju përmendët edhe ndryshmet në Uashington: Me administratën e re të zotit Trump, që vjen në janar në Shtëpinë e Bardhë, si mendoni se do të jetë ndikimi në gjendjen e sigurisë për rajonin e Ballkanit?
Fatmir Mediu: Mendoj që Trump është një president atipik, edhe diplomacia e tij do të jetë atipike dhe këtë e ka provuar edhe herën e parë. Nuk mendoj që të vrasim mendjen shumë se çfarë do të ndodhë me administratën Trump, që s’e kemi në dorë. Por është e pafalshme që Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, nuk ka një strukturë të analizës së sigurisë, që nuk ka krijuar një raport politik, ushtarak dhe ekonomik me vendet anëtare të NATO-s përballë Serbisë, Rusisë dhe Kinës, këta faktorë që janë futur thellë në Ballkan dhe po krijojnë probleme dhe konflikte në Ballkan. Detyra e parë e Shqipërisë është që të heqë dorë nga paternalizmi në raport me Kosovën, të heqë dorë nga vëllazëria e dashuria me Serbinë dhe Vuçiçin, se kjo është e dëmshme, dhe duhet të ndërtojë një vektor marrëdhëniesh të qarta ndëroperacionale ushtarake dhe struktura ushtarake të gatshme, politika smart defense sa u përket prokurimeve dhe niveleve operacionale e ndëroperacionale dhe më tej qëndrime të përbashkëta. Qeveria shqiptare duhet në manyrë urgjente të kërkojë një mbledhje të këshillit të ambasadorëve, duke i konsultuar çështjet paraprakisht me Sloveninë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë dhe Kosovën. Kjo do ta ndihmonte Kosovën dhe do të bënte që ne të kishim një peshë më të madhe. Pra, duhet të përpiqemi të menaxhojme veten tonë, më tepër se sa të presim që të na menaxhojnë të tjerët./VOA