E martë, 25 Tetor 2016 – Sakte.net
Shkrimtari Fatos Kongoli u takua dje për një libër me studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
I emocionuar nga pjesëmarrja e studentëve ai rrëfeu për krijimtarinë e tij letrare, por nuk hezitoi as që të këshillonte studentët.
“Jeta është shumë e çuditshme. Unë kam studiuar në Kinë për matematik. Shkuam në shkollë dhe dolëm mësues, jo matematicien, por unë përfitova prej saj atë që është logjikë matematike”.
Shkrimtari mendon se matematika ka ndikuar shumë në atë që shkruan në letërsi, por dhe në të kuptuarin e vetvetes.
“Prandaj unë i sugjeroj çdo shkrimtari dhe atyre që duan të merren me letërsi, të bëjnë një kurs sado elementar në matematikë”.
Shkrimtari letërsinë në Shqipëri e konsideron si një sfidë, sepse të ardhurat që merr prej saj, janë fare modeste për një shkrimtar-familjar, shkruan revista bordo.
“Të jesh shkrimtar në Shqipëri është një sfidë, sepse duhet të përballosh varfërinë. Letërsia nuk të jep as pare dhe as dreq”.
Megjithatë, shprehet se për këtë gjë Kongoli është mirëkuptuar nga familja e tij. Ndërsa, shkrimtarëve të rinj u sugjeron që nëse një ditë do të bëhen shkrimtarë të gjejnë një zgjedhje, që familja mos të vuajë pasojat e kësaj zgjedhjeje ekonomikisht.
“Nëse një vajzë do të bëhet shkrimtare duhet të marrë një burrë biznesmen, ndërsa një djalë të martohet me një vajzë të kamur”, tha shkrimtari.